Për të përkujtuar poetin më të madh të letërsisë shqipe, folën poet e studiues si Lulzim Tafa, poet dhe profesor universitar nga Prishtina, poezitë e të cilit janë të përkthyera në shumë gjuhë të botës dhe janë përfshirë në disa antologji. Pastaj Gentiana H. Muhaxhiri, poete dhe ligjëruese e letërsisë në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin “Fehmi Agani”, në Gjakovë, si dhe shkrimtari gjakovar Qemajl Juniku. E të cilët evokuan kujtimet e tyre nga miqësia me poetin Ali Podrimja dhe lexuan kumtesa lidhur me vlerat poetike të Ali Podrimjes.
Kurse mysafire të kësaj nate të tretë, për ta rikthyer nostalgjinë poetike të vet poetit Ali Podrimja, ishin recitueset: Blerina J. Dula, Majlinda Nushi e Sindorela Doli-Kryeziu, që dikur mbanin gjallë shpirtin poetik dhe atdhetar me recitimet e tyre para tri dekadash. Recitimet e bukura nga recitatoret e dikurshme, me plot pasion, dhuruan nostalgji të papërsëritshme, dhe u duartrokitën gjatë si para shumë vitesh, nga publiku i shumtë.
Përfundoi edicioni i dytë i “Gjakova Summer Fest”, për tri ditë publiku u argëtua me muzikë e poezi