ObserverKult: Mbahet “Mitingu i Poezisë”, i 60-ti me radhë, u ndan çmime e mirënjohje!

Home > News

Nga: Blerim Valla

Tradita e pasur letrare e qytetit të Gjakovës e nisur këtu e 60 vite më parë, saktësisht më datën 10 nëntor të vitit 1964, për gjashtë dekada, hapëroi me kohën dhe me shumë poetë por edhe me shumë manifestime poetike që lanë gjurmë të mëdha në letërsinë shqipe në përgjithësi e në veçanti në poezinë tonë.

Mitingu i sivjetëm jubilar i 60-të i Poezisë, u shënua me një javë promovimesh të librave dhe të autorëve të ndryshëm. Ndërsa kulmoi me manifestimin kryesor, me Akademinë Jubilare, pastaj me Orën e Madhe Letrare dhe me ndarjen solemne të Çmimeve tradicionale letrare por edhe të Çmimeve e Mirënjohjeve Jubilare .

Fitues i “Çmimit Din Mehmet” për librin poetik më të mirë poetik midis dy mitingjeve nga juria e klubit letrar “Gjon Nikollë Kazaz” iu nda poetit Lulzim Tafa, për librin “Rivali i Adamit”. Ndërsa “Çmimi Ali Podrimja” për poezinë më të mirë të lexuar në Orën e Madhe Letrare, e ndarë poashtu nga juria e klubit në fjalë, ju nda poetit Sali Bashota për poezinë “Çka bëni ju atje të dielën”.

Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës me përkrahjen e Komunës së Gjakovës dhe nën patronatin e kryetarit Ardian Gjini, organizoi manifestimin tradicional, këtë vit, për të shënuar 60 – vjetorin e Mitingut të Poezisë duke kujtuar nismën e tij që nga viti 1964, nga një grup shkrimtarësh për të udhëtuar deri sot, me shumë aktivitete, poezi, debate për kulturë, promovime veprash dhe shpërblime të shumta letrare.

Nga kryetari i klubit letrar Muharrem Kurti, në hapje të akademisë jubilare u tha se Mitingu i Poezisë nuk u ndal as në kohën kur duhej të kërkohej leje speciale dhe kur bëheshin ndjekje, madje edhe ndalesa ndaj fjalës së shkruar shqipe. Dhe ky manifestim i i bëri ballë gjitha pengesave e sfidave për të arritur deri tek ky jubilar i 60 – ti sot.

Pjesëmarrësit e këtij edicioni i përshëndeti kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, duke theksuar se Mitingu që mbahet në Gjakovë për kaq vite, ka sjellë kujtime për shumë gjenerata, prandaj edhe është i gjithë shkrimtarëve. Ai theksoi se Gjakova, do të presë jubile edhe më tej, sepse ky manifestim letrar i përvitshëm është aset shpirtëror. Kurse njëri nga pjesëmarrësit dhe themeluesit e Mitingut, shkrimtari i njohur Jusuf Buxhovi, tha se Gjakova kishte qysh atëherë shkrimtarë që patën nisma për të organizuar e për të shkruar, e që fatkeqësisht shumica nuk janë gjallë më me ne. Por ai aktivitet i atëhershëm nuk u ndal për 60 vite rradhazi dhe nuk do të ndalet asnjëherë sepse Gjakova ishte është dhe do të jetë Qyteti i Poezisë.

Në Tribunën Letrare me temën “60 vjet të Mitingut të Poezisë” fillimisht referoi Muharrem Kurti, kryetar i Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, duke dhënë informacione të rëndësishme për të gjitha fazat e mbajtjes së këtij manifestimi. Kurti tha më tej se kujtojmë këtu, pjesëmarrjen në Miting të Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Ali Podrimjes, Fatos Arapit, Din Mehmetit, Xhevahir Spahiut, Visar Zhitit, Natasha Lakos, Fatos Kongolit, Zija Çelës e shumë e shumë të tjerëve të njohur, edhe kur ndërmjet nesh kishte kufij hermetikë e ndarës deri në qiell. Pra, Mitingu i Poezisë e shpërtheu kufirin shqiptaro-shqiptar me festën poetike në Gjakovë dhe qe 60 vite u bë një Shkollë Poetike!

Ndërkaq shkrimtari Agim Byci, në fjalën e ti mes tjerash potencoi se në Mitingun e Poezisë kanë marrë pjesë edhe poetë të shquar të huaj por edhe nga ish – republikat e Jugosllavisë, si Jasha Zllobec, Jevrem Bërkoviq etj. A. Byci, po ashtu pjesëmarrës i mitingut nismëtar, solli para publikut kujtimet e atyre viteve, duke mbjellë në rininë shkollore sensin krijues dhe çdo vit shtoheshin gjeneratat për t’u bërë më vonë organizim e manifestim për tërë qytetin. Sipas tij, Klubi Letrar dhe vetë Mitingu i Poezisë ishin dhe janë Mona Liza e kulturës dhe e letërsisë shqiptare!

Në Orën e Madhe Letrare të Mitingut, poezitë e tyre i lexuan poetët si: Sabri Hamiti, Naime Beqiraj, Milazim Krasniqi, Sali Bashota, Lulzim Tafa, Anton Marku, Migena Arllati, Prend Buzhala, Arif Bozaxhi, Lulëzim Logu, Blerim Valla, Albert Shala, Neki Lulaj dhe Agim Desku.

Një traditë letrare e mitingut të poezisë që nga viti 2006, është edhe zhvillimi i garave në mes të rinjve krijues për të fituar “Çmimin Yllka Domi”, çmim letrar ky i ideuar e themeluar nga tre shkrimtarët dhe anëtarët e klubit letrar të Gjakovës: Agim Byci, Blerim Valla dhe Shkëndije Hoda. Dhe sivjet ky çmim që mban emrin e poetes dhe dëshmores gjakovare Yllka Domi, iu nda katër krijuesve të rinj: Sara Gjoshi, Albiona Fetahu, Alisa Kodraj dhe Erjon Xhiha.

Më pas u bë ndarja e Çmimeve dhe Mirënjohjeve Jubilare për nder të 60 – vjetorit të Mitingut të Poezisë, të cilat i ndanë kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, anëtari i kryesisë së Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, poeti Engjëll I. Berisha, pastaj krye asambleistja e komunës së Gjakovës Arbnesha Kuqi dhe drejtoresha komunale e kulturës Adea Roka.

Me këtë rast, u bë me dije se gjatë viteve të shkuara janë ndarë çmime e mirënjohje për të gjithë ata që ishin kontribues dhe udhëheqës të klubit letrar Gj. N. Kazazi dhe organizatorë të Mitingut të Poezisë. Prandaj sot nderohen ata që kanë merita dhe nuk janë shpërblyer deri më sot. Poeti Berisha, shtoi se po punohet në monografinë e Klubit ku do të figurojnë emrat e të gjithëve, për të mos u harruar kurrë.

Në këtë përvjetor, Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, ndau edhe disa çmime e mirënjohje jubilare për ata që kanë dhënë kontribut me vite të tëra. Me çmimet post – mortum, nderoi ish-kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe shkrimtarin e madh Teki Dervishi. Me çmime e mirënjohje jubilare u nderuan edhe Jusuf Buxhovi, Besnik Mustafaj, Sabri Hamiti, Agim Byci, Milazim Krasniqi, Agim Vinca, Naime Beqiraj, Jeton Kelmendi, Iljaz Bobaj, Qemajl Juniku, Albert Shala, Blerim Valla, Shefqet Dinaj, Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë, pastaj edhe anëtarët e kryesisë së klubit “Gjon Nikollë Kazazi”, si Muharrem Kurti, Engjëll I. Berisha, Migena Arllati e Vjollca Kuqi. Gjithashtu me mirënjohje u nderuan edhe mediat “Radio Gjakova” dhe TV “Syri Vision”.

Si gjithnjë edhe në këtë miting të poezisë u organizua java e promovimeve, e që këtë vit kishte katër aktivitete, duke filluar me orën letrare për të rinj “Yllka Domi”, pastaj me promovimin e dy librave të autores Diana Markaj: “Brenga me fytyrë vajze” (poezi) dhe “Të gjithë poshtë urës” (dramë). Gjithashtu, u promovua romani “Libri për Gjakovën”- botim i plotësuar i shkrimtarit Jusuf Buxhovi, pastaj ibri me poezi “Duke pritur ditën e tetë”, i poetit Anton Marku dhe libri me tregime “Albani nuk flet shqip”, i autores Angjelina Marku.

ObserverKult

Most Recent Posts

THE DREAM

Don't despair, my dear, Don't be disappointed either I just found out I don't exist at all Neither you All is a dream

No one exists Even worse Neither the world Nothing that we think it is It's not

Mountains don’t exist, seas, oceans Not even the heavens There are no Planets Sun, Earth and the moon The Moon not at all

He was born on 2nd February 1970 in Lipjan near Prishtina, the capital city of the Republic of Kosova. He completed his primary and secondary education in his birthplace, in Lipjan…
Read More