Poeti i njohur kosovar, Lulzim Tafa do të jetë i ftuar si mysafir nderi në Kongresin Botëror të Poetëve, shkruan KultPlus.Ky kongres, i 42-ti me radhë, sivjet për herë të parë mbahet në një anije gjigante dhe do të marrin pjesë poetë nga mbarë bota. Kongresi do nisë në Romë-Itali dhe do të lëvizë bashkë me vargjet e poetëve nëpër ujërat e Mesdheut, në Maltë, në Greqi dhe përsëri do të kthehet në Itali. “Poezia mbi ujë”, shprehet poeti Lulzim Tafa teksa tregon që është i lumtur që do të jetë pjesë e kësaj eksperience e njëkohësisht për faktin që në këtë kongres do të jetë prezente edhe letërsia shqipe. “Jam i lumtur që do t’i takoj shumë nga miqtë e mi poetë nga të gjitha anët e globit, po ashtu jam i lumtur që në këtë kongres do të jetë prezente edhe letërsia jonë”, shprehet Tafa. Kongresi Botëror i Poetëve do të mbahet më datë 22 deri më 29 shtator.
Lulzim Tafa zgjedhet anëtar i jashtëm i Akademisë boshnjake të Shkencave dhe Arteve
Lulzim Tafa është zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë boshnjake të Shkencave dhe Arteve. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Tafa nëpërmjet një postimi në Facebook. Në vijim gjeni postimin e plotë të tij: Të nderuar miq! Akademia Boshnjake e Shkencave dhe Arteve më ka njoftuar se kuvendi i kësaj Akademie më ka zgjedhur anëtar të jashtëm të saj. Sarajeva është një nga metropolet kryesore të kulturës në Evropë, dhe mua më ka nderuar gjithmonë. Në vitin 2012 është botuar libri im në gjuhën boshnjake, me një parathenje të Abdulla Sidranit, i cili më ka bërë shumë të njohur te lexuesit atje.Në gusht do të jem në Sarajevë, për të marr pjesë në ceremoninë e promovimit të anëtarëve të rinj të Akademisë.
Lulzim Tafa emërohet anëtar i Bordit në Këshillin e Ambasadorëve Shqiptar
Poeti Lulzim Tafa ka njoftuar që ka pranuar dekretin për emërimin e tij si anëtar nderi i Bordit në Këshillin e Ambasodrëve Shqiptar. Lajmin e ka bërë të ditur Tafa përmes një postimi në “Facebook”, ku thotë se ndihet i nderuar që Këshilli i Ambasadorëve Shqiptar e ka vlerësuar punën e tij të deritanishme në fushën e diplomacisë kulturore. Postimi i tij i plotë: Sot në Tiranë, nga shkrimtari Besnik Mustafaj, Kryetar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptar dhe ish ministër i punëve të jashtme të Shqipërisë, pranova dekretin për emërimin tim, anëtar nderi i Bordit në Këshillin e Ambasadorëve Shqiptar. Ndihem i nderuar që Këshilli i Ambasadorëve Shqiptar e ka vlerësuar punën time të deritanishme në fushën e diplomacisë kulturore. Pas kësaj ngjarje, do të marr pjesë edhe në promovimin e librit “BITCOIN & KRIPTO-MONEDHAT” të autorit, Prof. Dr. Adrian Civici.