Mira Murati, shqiptarja pjesë e grupit të Inteligjencës Artificiale që krijoi ChatGPT, ka marrë titullin “Akademike” dhe nga sot është zyrtarisht anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Kanë qenë akademikët Anastas Angjeli dhe Dhimitër Tole, të cilët kanë propozuar që Mira Murati të jetë pjesë e institucionit më të lartë të shkencave në Shqipëri dhe kërkesa ka gjetur mbështetje të plotë.
Vendimi është marrë në një mbledhje me dyer të mbyllura dhe falë arritjeve të saj në fushën e inteligjencës artificiale, konkretisht me ChatGPT, Mira Murati ka marrë statusin e anëtares së jashtme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Pjesë e këtij institucioni janë bërë dhe katër shqiptarë të tjerë të cilët kanë lënë gjurmë me punën e tyre, në Shqipëri, Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare.
Angjelin Preljocaj, një koreograf me famë ndërkombëtare dhe me origjinë nga Kelmendi i Malësisë së Madhe, ka marrë gjithashtu statusin e anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave. Ai jeton në Francë dhe konsiderohet si një nga koreografët më të rëndësishëm bashkëkohorë.
Pasaporta e tij është franceze sepse prindërit u arratisën përmes Vermoshit, për t’i shpëtuar regjimit komunist në vitin 1957, teksa nëna ishte shtatzënë. Dy javë pasi prindërit mbërritën në Paris lindi Agjelini dhe pavarësisht pasaportës, zemra e tij është shqiptare.
Emri i tij është propozuar nga Gjergj Prevazi e Ismail Kadare dhe njeriu që pushtoi skenat botërore, është tashmë pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Gëzim Alpion, një mbajtës i gradës “Doktor i shkencave”, pedagog dhe studiues i Sociologjisë, është zgjedhur në mbledhjen e sotme anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave, si Mira Murati dhe Angjelin Preljocaj. Ai është me origjinë nga Dibra dhe punon në Universitetin e Birmingam-it. Vitet e fundit, Dr Alpion ka krijuar një kurs të gjuhës shqipe në Angli.
Poeti dhe profesori i njohur nga Kosova, Lulzim Tafa ka marrë gjithashtu statusin e anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave. Ai është autor i shumë poezive të cilat janë të përkthyera në disa gjuhë të botës dhe të përfshira në disa antologji.
Lulzim Tafa është anëtar i rregullt i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, anëtar i rregullt i Akademisë së Arteve dhe Letërsisë në Francë, si dhe mban shumë tituj nderi në akademi dhe universitete botërore. Jeton në Prishtinë dhe tashmë do të jetë dhe pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.



