KultPlus: Në Kolegjin AAB u mbajt ora e shkrimtarit me poetin Lulzim Tafa

Home > News

Poeti dhe studiuesi, Sali Bashota, i cili e moderoi këtë takim, duke e paraqitur profilin krijues të poetit Lulzim Tafa, ndër të tjera, tha: “Mbi tridhjetë vjetët e krijimtarisë poetike të Lulzim Tafës që janë paraqitur në tetë libra me poezi: “Gjaku nuk bëhet ujë” (1993), “Metaforë e pikëlluar” (1995), “Planeti Babiloni” (1997) , “Vdekja çon fjalë” (1998), “I kam edhe dy fjalë” (2012), “Shtini n’dhe këto fjalë” (2015), “Flirt” (2019) dhe “Rivali i Adamit” (2024), dëshmojnë për individualitetin e një poeti që udhëtimin e tij krijues e bën vetëm me zjarrin e poezisë në shpirt”.

Më tutje, Bashota, në mesin e shumë poezive me vlerë letrare dhe estetike, në mënyrë të veçantë e dalloi triptikun poetik të Lulzim Tafës, kushtuar Nanës, duke theksuar se “tri poezitë e Lulzim Tafës për Nanën janë poezi antologjike, ndër më të bukurat, që hyjnë përbrenda hierarkisë së vlerave të poezisë së sotme shqipe, pikërisht me mrekullimin e magjisë së dashurisë për Nanën, në radhë të parë, përmes gjuhës dhe mendimit. Në këto tri poezi, burimi i emocioneve fuqizohet e dramatizohet nëpërmjet shenjave të dashurisë në çdo fazë të jetës, herën e parë dhe shenjave të mërzisë, dhimbjes, mungesës, herën e dytë, për të qëndruar gjithmonë përbrenda shpirtit të poetit. Në çdo çast është e pranishme dashuria e përjetshme dhe e pakrahasueshme për Nanën. Pra, këto elemente metaforike e simbolike janë të pranishme në triptikun poetik “Paralajmërim për ata që do t’iu vdes Nana”, “Sa shpejt më harroi Nana” dhe “Nana as sot nuk heq dorë nga lulet”. Në këtë mënyrë, Lulzim Tafa, e tejkalon perceptimin simbolik e mallëngjyes, duke e mishëruar dashurinë për Nanën përbrenda imazhit të pavdekësisë”.

Pasi e lexoi poezinë e tij të parë që e kishte shkruar, poeti Lulzim Tafa evokoi kujtime të bukura për fillimet e krijimtarisë së tij letrare, çastin e takimit me poetin Vehbi Kikaj (periudha e shkollimit fillor), pastaj me poetin Ali Podrimja (periudha e botimit të librit të parë me poezi në edicionin botues të “Rilindjes”, por edhe takime të shumta me poetë shqiptarë, si dhe me poetë nga shtete të ndryshme të botës.

Duke u përqendruar në mënyrë të veçantë për fenomenin se si shkruan dhe pse shkruan, poeti Tafa, e vlerësoi lart artin e të shkruarit të poezisë, ndërlidhjen shpirtërore me të, madje duke i rikujtuar mendimet e tij të shfaqura edhe më herët, ndër të tjera, tha: “Poezia përcjell emocion, e emocionet te askush nuk janë të njëjta dhe askush nuk i përjeton njëjtë”. Një vëmendje të rëndësishme ia kushtoi leximit nëpër të gjitha fazat e shkollimit të tij, duke i porositur gjeneratat e reja që t’i përkushtohen sa më shumë leximit të veprave letrare. E mori shembull personal se si lexon çdo ditë nga 100 -150 poezi të poetëve të ndryshëm shqiptarë dhe botërorë. Me këtë rast, ndër të tjera, tha: “Unë në secilin rast unë jam me lexuesin. Ne shkruajnë për ta. Lexuesi ka të drejtë të lexojë dhe të mos lexojë. Ndodh që lexuesi e ndërpret leximin dhe kjo është e drejtë e njohur e tij”.

Gjithashtu, poeti Tafa, foli edhe për përkthimin, duke thënë se përkthimi i një poezie të bukur në një gjuhë tjetër, më së miri mund të bëhet nga poetët që merren edhe me përkthime, duke përmendur rastin, kur vetë kishte përkthyer disa poezi të poetit të njohur malazias, Jevrem Bërkoviq. Ndërsa për veprat e tij të përkthyera në shumë gjuhë të botës, evokoi kujtimet më të bukura nga përkthimi i veprës së tij të parë e deri më sot.

Më tutje, Tafa foli edhe për dukuri e fenomene letrare, për letërsinë përballë zhvillimeve teknologjike, për përvojën e tij krijuese, por edhe për përvojën e shkrimtarëve të ndryshëm botërorë, se si i kanë shkruar veprat e tyre, pastaj për rëndësinë e promovimit të veprave, për vlerësimin e tyre, duke iu dhënë edhe këshillave poetëve të rinj.

Në fund të takimit letrar u zhvillua një bashkëbisedim midis poetit dhe të pranishmeve, ku dominonin pyetjet për procesin e shkrimit, për frymëzimin, motivet, temat, por edhe për vlerën dhe rëndësinë e poezisë në shoqërinë e sotme

Ora e shkrimtarit u mbyll me leximin e poezisë “Vdekja e të paqenës”, të cilën këto ditë e kishte shkruar poeti Lulzim Tafa./KultPlus.com

Most Recent Posts

THE DREAM

Don't despair, my dear, Don't be disappointed either I just found out I don't exist at all Neither you All is a dream

No one exists Even worse Neither the world Nothing that we think it is It's not

Mountains don’t exist, seas, oceans Not even the heavens There are no Planets Sun, Earth and the moon The Moon not at all

He was born on 2nd February 1970 in Lipjan near Prishtina, the capital city of the Republic of Kosova. He completed his primary and secondary education in his birthplace, in Lipjan…
Read More