Albanian

Poems > Languages > Albanian

TË DIELAVE MOS MË THIRR MË

Të dielave mos më thirr më

Mund të mos zgjohem

Përjetë të rri në gjumin e vdekjes

Mos i harro çastet e ngrira

Veç të dielës zgjidhe ditën tënde

Për ty kur të vdes

Pas shtatë bjeshkësh të ta gjej emrin

Ah, si nuk vjen ditëve të tjera.

ANDËRR

(Palimpsest kozmik)

 Mos u dëshpëro e dashur

As mos u zhgënje

Sapo mora vesh

Unë fare nuk ekzistoj

As ti

E tëra është një ëndërr

Askush nuk ekziston

Më e keqja

As bota

Asgjë që mendojmë se është

Nuk është

Nuk ekzistojnë malet, detet, oqeanet

As qiejt

Nuk ekzistojnë planetët

Dielli, Toka e Hana

Hana hiç se hiç

(Logjikë) diçka kaq e bukur

S’mund të ekzistojë

Ashtu siç nuk ekzistojnë

vitet e dritës

Kashta e Kumtrit

Atmosfera, hidrosfera

Biosferë nuk ka

As që ka pasur

As që do ketë

Harroje

PIKË.

Astronautët kanë gënjyer edhe pse

As ata nuk ekzistojnë

Mos beso më në galaktika

Big bangu andërr ka qenë

Si andrrat ma

Të trishta

Të bukura

Plot zjarr

Lindja e vdekja

Ferri e Parajsa

Andrra janë

Mos u dëshpëro

As rruga tjetër e Qumështit

As gjithësia

Më vjen keq e dashur

Nuk ekziston

As dashuria

Edhe pse të dua

As Prindërit tanë kurrë nuk kanë ekzistuar

(ku janë pra)?

Veç për Zotin e di

Ai është diku

Mbase është i vetmi që mohohet

Mbase është ai

“Që po na sheh në andërr”.

Se Zoti

Është një fëmijë i vogël

Që luan me yje

 

AKULL DHE DASHNI

Për Zotin Për ty

Për kry t‘vargut

Nuk e di

Kam rrëshqitë

N’dashni si në akull

Apo kam rrëshqitë

Në akull

Si n’dashni

TY

Kryq para Djallit

T’kam vnue

Me m’dashtë

Me m’mbrojtë

Me shpirt

Me trup

Me m’mlue

EH

Dreqi ti

Si se kap dashurinë

Që ta hodha në ajër

S’e di ti

Sa lehtë e ke

Me m ‘përpi

Me një frymëmarrje

PËRSËRI

Dreqi ti

Dashuria ka metastazu në ajër

Veç vonim

Se p‘shtim nuk ki

Dije

PIROMANE

Më ke ndezë

si zjarr

dhe po ngrohesh me mua

mbaje mend

vetë ke me u djeg

me sytë

me buzët

 tua

FOBI

Kam frikë

Mos verbohem

E më nuk të shoh

Me sy

Ruaji sytë tu

Ruaji sytë e mi

ASHENSORI

Sapo dyert e ashensorit u mbyllën

Ajo e nxori ID e vet zyrtare

Dhe buzët e trasha

Drejt meje i zgjati.

Unë jam Maria Skorelesku

Dhe kam të drejtë

Të të puth

Pa të pyetur.

U stepa nga formalizmi

I saj

I tepruar.

Më fal i thashë të lutem

Se jam një anarkist

I njohur për puthje.

Si gjuhë gjarpri

Gjuhë e saj

Çau buzët e mia

Pushtim total

oral.

Në tabelën informuese të ashensorit

Numrat e kateve ndërroheshin.

Pesë

Gjashtë

Shtatë

Në të tetin

isha zënë rob

Kjo tanimë ishte e qartë.

Me kot mundohesha

T’i liroja duart

Nga gjoksi i saj.

Në katin e katërmbëdhjetë

Ashensori ndaloi

Për të fundit herë

Për fat

Për pak

Përpara se

të pëlciste gypi

Me ujë të valë.

VASHA E DUKAGJINIT

Ti nuk i përngjan mëngjesit

As jorgovanit syçelë.

E kthjellët je

Më e kthjellët se loti

Se ujë i Drinit

të bardhë

Se ujë i Drinit

të zi

Se vesa

Se pika e shiut.

E shenjtë je

Më e shenjtë

se ura e shenjtë

Se Rozafa

Se motra e Gjergj Elez Alisë

E bukur je

Më e bukur

se vasha e përrallave

Kristal je

Kristal ke syrin

Filigranët të qesin nëpër unaza

Djemtë e ri

Përpara pasqyrës

e vrasin veten

Asgjë s’të përngjan

më shumë se lulëkuqja

vashë e dukagjinit

ruaju hënës përgjysmë

dhe shamizezave

shëngjergjave kur ta lidhin

gërshetin.

QERSHIZË

Ti më shumë

se secila

pemë në kopshte

ke qershi

në sy

në buzë

në gji.

SMS

Tung zemër

Diellin e kam afër

Vetëm një metër

Ti, pika e ujit

Që ferrin e shkymë

KATI I TETË

 

Hotel Marriott ka një SPA në katin e tetë

Aty e dashura evropiane e Miliarderit Saudit

Në një saunë më shfaqet hot.

Derisa Magnati Miliarder e kishte kohen e gjumit

si fëmija

si fëmija flejne magnatet nga lodhja              

Duhet kuptuar i kishte shtatëdhjetë

E modelja nga Evropa

Ende njëzet e gjashtë këtë vjeshtë.

Ajo ishte pothuajse nudo

E unë

Si pis që jam,

E  i tillë kam qene gjithmonë dorën në zemër

Për sqarim në zhargon

Pis quhet lexuesi i syve të një femre

Në sytë e sajë unë pashë etje pashë zjarr

Jo formalisht unë kam bërë

edhe një kurs për zjarrfikës

Qysh kur isha shtatëmbëdhjetë

Atëherë kur në fshatra fikeshin dritat

Dhe u ndizej zjarri grave

Të burrave që punonin në turninë  e tretë

 Ishte kohë skamje ateherë

Jo si tash në Marriott

në SPA në katin e tetë

 

DEHJE ME FATALITET

Ti ke dehje fatale

kur dehesh

Vret,

Unë vetëm

Kur dehem

Të dashuroj

Fatalisht dehemi

Të dy

KE FJETUR NËN HËNË

A s’të dhimbsem

Dielli t’i vrau sytë athua

Ke fjetur nën hijen e hënës

Dhe pa dashur të futa në këngë

Pse qan?

Sytë s’dhimbsen a

Do të vij në ëndrrën tënde

Dhe do ta harroj udhën e kthimit

Nga vaji i lig

Nga ëndrra e zezë

Të lutem mos qaj

A s’të dhimbsem unë vogëlushe

AJKUNA

Nën dritën e hënës e zë Ajkunën

Tu’ i nxjerr grigjës tamblin

Ajkunë

Ç’bën ti me grigjën

Do të bëj unë me ty

Uh qyqja unë për kopenë tha

Tu’ kujtu’ se i kish rënë

Ujku n’qafë.

EROTIKË E LEHTË

Mban mend oj

Kur ishim

Një

E të zhvishja

me sy

Ti askund

E unë

Mbi

Ty.

Dikur vonë

Na përziheshin

Gishtërinj dhe maja.

MOSMARRËVESHJE

Mollën i thashë

ma jep

Ajo m’i dha

mollët

Si qershi

u skuq,

E unë

u gjenda

në majë të saj

Në trung qershie.

TELEFONI

Cingëron fort trishtueshëm

Në mesëndërr

Në mesnatë

Telefoni i kaltër

Përmes telave i mban

Lidhjet e zemrave

TË DUA MË SHUMË SE PAULINËN

Mos u shqetëso e dashur

Ajo me Paulinën ishte flirt

Si me Hanën

S’e di as vetë

si u zura pranë saj

Ti e di

Unë s’u rezistoj bruneve

Me sy deti

Nuk ishte dashuri

E di

Që ty të intereson

dashuria

Flirt ishte

Akt rrugaçësh

S’e di as vetë

Si u zura pranë saj

S’e di as vetë

Si më zure ti

Ti e di

Unë s’u rezistoj bruneve

Me sy deti


Ata më thanë ik dhe unë ika

Kokën time të prerë
Në dorë ma dhanë
Dhe thanë
Ik!

Zorrët m’i nxorën
Dhe me to
M’i lidhën këmbët
Dhe thanë
Ik!

Mbusha xhepat
Me gjak
valigjet me gjymtyrët
e mia dhe
IKA.

He was born on 2nd February 1970 in Lipjan near Prishtina, the capital city of the Republic of Kosova. He completed his primary and secondary education in his birthplace, in Lipjan…
Read More

© 2024 LULZIM TAFA – Administered by Ardian Sallauka