Sali Bashota
Sfida e përzgjedhjes autoriale
Përzgjedhja e poezive nga vetë poeti duke u përcaktuar për krijimet më të dashura, pa dyshim, është një sfidë e bukur, edhe pse në këtë rast është vështirë për secilin poet ta dallojë njërën poezi, por është edhe më vështirë ta mënjanojë tjetrën, madje edhe kur nuk e ndjek as rendin kronologjik të botimit të veprave të veta. Kriteri subjektiv mbase është edhe një vendim enigmatik për secilin poet. Po kështu, ndodh përafërsisht edhe kur i referohet vetëm një dimensioni të caktuar, qoftë tematik, motivor, estetik, figurativ, stilistik etj., sepse ridëshmohet sfida tjetër e radhës përbrenda aktit komunikues me lexuesin.
Mbi tridhjetë vjetët e krijimtarisë poetike të Lulzim Tafës që janë paraqitur në tetë libra me poezi: “Gjaku nuk bëhet ujë” (1993), “Metaforë e pikëlluar” (1995), “Planeti Babiloni” (1997), “Vdekja çon fjalë” (1998), “I kam edhe dy fjalë” (2012), “Shtini n’dhe këto fjalë” (2015), “Flirt” (2019) dhe “Rivali i Adamit” (2024), dëshmojnë për individualitetin e një poeti që udhëtimin e tij krijues e bën vetëm me zjarrin e poezisë në shpirt.
Prirja e tij kryesore, pra poezia, e ka krijuar ndjesinë shpirtërore për ta fuqizuar teknikën e tij shkrimore, duke depërtuar në shtresat semantike të tekstit poetik, si me idetë, motivet, temat, por edhe me përbërës të tjerë. Që nga fillimet e tij krijuese, Lulzim Tafa, bën një lojë të shkathët poetike me fjalë të zgjedhura dhe me figura të bukura, madje bën një lojë magjike me gjuhën e tij poetike, në radhë të parë, për ta kapur esencën e ndjenjave kryetipore përbrenda ritmit të ideve dhe mendimeve në një udhëtim të sigurt, të zjarrtë e pasionant. Prandaj loja e tij e shkathët poetike shqiptohet aty ku fillon të ndërtohet sistemi filozofik i krijimit, i poezisë, pra thelbi i saj, në mënyrë të veçantë, ritmi i asociacionit, siç do të thoshte Northrop Fraj. Natyrisht është një fat i mrekullueshëm për secilin poet kur gjuha, ligjërimi, figura e afirmojnë dhe e zhvillojnë rrugën e tij poetike përbrenda horizontit të receptimit.
Kësaj radhe, Antologjia Personale e Lulzim Tafës bëhet kryetemë e dashurisë së tij për poezinë përbrenda ndjeshmërisë së tij shpirtërore duke i sistemuar idetë, konceptet dhe mendimet e tij krijuese.
Efekti estetik i lirisë poetike
Lulzim Tafa shkruan vargje që të mallëngjejnë dhe të rrëmbejnë njëkohësisht, siç janë për shembull poezitë “Paralajmërim për ata që do t’iu vdes Nana”, “Sa shpejt më harroi Nana”, “Andrra”, “Letër Bujar Tafës” etj. Ritmi i poezisë së tij arrin kulminacionin e
ironisë lirike, pikërisht me përshkrimin figurativ të mungesës e zbraztësisë dhe me fuqizimin magjepsës të fenomeneve të realitetit jetësor si përjetim estetik në shumicën e fushave semantike. Kështu ndodh me tipin e poezive, kur në epiqendër qëndrojnë ëndrrat, derisa poeti përgatit ekspozitën e tij shpirtërore me ndjenja, mendime, figura, ide, stil, gjuhë dhe me përplot metafora të bukura. Kështu ndodh në imagjinatën e tij, kur e trajton fatin e njeriut nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme, kur e koleksionon dashurinë dhe lumturinë apo edhe vuajtjen e dhimbjen, për t’i shpjeguar figurativisht fshehtësitë e kësaj bote. Kështu ndodh, kur shkruan me admirim vargje përkushtuese për poetët. Po kështu ndodh, kur e trajton motivin e luftës apo kur merret me zbërthimin e miteve dhe legjendave ose kur e rikrijon imazhin për zanafillën e qenies njerëzore, për Adamin, Evën etj.
Lulzim Tafa e përcakton qartë idenë e krijimit poetik duke qenë ngulmues i shkathët për t’i zbuluar të panjohurat dhe të pathënat për qenien njerëzore në një kontekst të ri stilistik e figurativ, pastaj për t’i emërtuar gjërat dhe fenomenet sipas kodit të tij poetik. Këtu mund të bëhet fjalë për përzgjedhjen dhe për përfshirjen e imazheve simbolike e metaforike përbrenda ligjërimit, ritmit dhe figurës, për t’i zgjuar ndjenjat e heshtura dhe të panjohura të njeriut në kohë lufte, në kohë pandemie, në kohë paqeje, në kohë lirie, kur dihet se secila kohë përjetohet në rrethana të caktuara dhe e ruan kujtesën e vet.
Poezia e Lulzim Tafës i ka shenjat e veta që dëshmojnë rrugëtimin e tij krijues përbrenda një shtegtimi të pafund, ku fillon thurja e aktit krijues të shkrimit, duke iu dhënë përparësi ideve dhe koncepteve kryesore përmes tablove, çasteve, situatave, pastaj fuqizohet mesazhi i poezisë përmes shenjave poetike, ku pikat e matjes së dashurisë, dhimbjes, ëndrrave, nostalogjisë, fatit, vetmisë etj., i formësojnë rrathët e vet koncentrikë dhe secila bëhet më tërheqëse, më domethënëse, më kuptimplote.
Përmes poezisë së tij, Lulzim Tafa, pothuajse, e zvogëlon trishtimin dhe melankolinë, ndërsa e zmadhon jetën dhe dashurinë. Për më tepër litota dhe hiperbola janë dy nga figurat stilistike që e ndërtojnë formën e ëndrrave të poetit, pastaj vijnë enumeracioni, simboli, metafora, antiteza, alegoria, paradoksi, krahasimi, paralelizmi etj.
Poezia e Tafës nuk zbaton rregulla, por zbaton ndjeshmëri, madje edhe temperament të veçantë gjuhësor duke shtresuar sa më shumë imazhe në triumfin e plotë të çasteve dhe detajeve parodizuese.
Për poetin mjafton dimensioni emocional, i harmonizuar me dimensionin poetik, psikologjik dhe filozofik. Edhe kur ëndrra e paralajmëron zhgjëndrrën, edhe kur rrënjët e dashurisë i lidhin fijet e lumturisë përbrenda realitetit ekzistues, ndërsa secili nga episodet e jetës strukturohet deri te pavdekësia e shpirtit.
Prandaj ndjeshmëria e tyre e përcakton dimensionin e një rituali krijues përmes së cilit renditen fenomenet jetësore dhe fenomenet letrare. Aty ka virtyte e vese. Ay ka situata të paharrueshme. Aty frymon çdo detaj. Aty ka lumturi. Aty fiton gjithmonë e bukura. Aty ka përplot dashuri. Kështu përmes mesazhit poetik jetësorja bëhet letrare, ndërsa letrarja fuqizohet nëpër të gjitha shtresat semantike të poezisë për të mbërritur dimensionin e caktuar të ligjërimit.
Triptiku poetik për Nanën
Tri poezitë e Lulzim Tafës për Nanën janë poezi antologjike, ndër më të bukurat, që hyjnë përbrenda hierarkisë së vlerave të poezisë së sotme shqipe, pikërisht me mrekullimin e magjisë së dashurisë për Nanën, në radhë të parë, përmes gjuhës dhe mendimit. Në këto tri poezi, burimi i emocioneve fuqizohet e dramatizohet nëpërmjet shenjave të dashurisë në çdo fazë të jetës, herën e parë dhe shenjave të mërzisë, dhimbjes, mungesës, herën e dytë, për të qëndruar gjithmonë përbrenda shpirtit të poetit. Në çdo çast është e pranishme dashuria e përjetshme dhe e pakrahasueshme për Nanën.
Prandaj kur poeti e çel këtë shteg të dashurisë, nuk mund ta mbyll më. Kësaj radhe, është shtegu
i përjetësisë përbrenda lirikës së pikëlluar, bashkë me baladën dhe elegjinë. Aty formësohet rrethi i vetmisë së pafund.
Nana ka shkuar në amshim. Nana hesht. Nana nuk flet. Nana mbledh lule. Nana është në parajsë. Këto tri poezi janë ndër shembujt më të përsosur të ligjërimit përmes thjeshtësisë poetike të vargut, pikërisht me mjeshtërinë e mahnitshme të ideve, sigurisht përmes shpërthimit më emocional në tërë krijimtarinë e Lulzim Tafës.
Fund e krye, në këto tri poezi drama shpirtërore e poetit zhvillohet përbrenda këtyre akteve, pikërisht në kërkim të zjarrit krijues, për t’i kapërcyer të gjitha urat midis jetës dhe vdekjes,
derisa poeti të dalë në rrugën vetmitare, duke pëshpëritur më zë të lartë emrin e saj ose mungesën e saj ose mërzinë për të, duke dëshmuar se Fryma e Nanës ekziston dhe nuk vdes kurrë.
Kjo Frymë e fuqizon mrekullinë dhe madhështinë e përjetësisë; bëhet motiv gjallërues, riformësohet me dritën e vet, madje kur kapërcehet pragu i jetës për të mbërritur deri te pragu metafizik. Për më tepër, “kuvendimi” i poetit me Nanën, kur ajo tashmë ndodhet në botën e amshuar, është lidhja e fuqishme shpirtërore që një poet mund ta bëjë përmes artit krijues në jetën e tij, bëhet himn i shpirtit dhe testament i fjalës së shkruar. Në këtë udhë të krijimit, ndërtohet dhe funksionalizohet përjetësia e vargut poetik. Poezia bëhet më e fuqishme,
më dramatike, më fantastike sepse lidhet me ndjenjën e amësisë. Prandaj përbrenda kësaj
rikujtese dhe kësaj ndjenjeje, çdo ëmbëlsi e fjalës së saj shndërrohet në imazh të bekuar.
Këto elemente metaforike e simbolike janë të pranishme në triptikun poetik “Paralajmërim për ata që do t’iu vdes Nana”, “Sa shpejt më harroi Nana” dhe “Nana as sot nuk heq dorë nga lulet”. Në këtë mënyrë, Lulzim Tafa, e tejkalon perceptimin simbolik e mallëngjyes, duke e mishëruar dashurinë për Nanën përbrenda imazhit të pavdekësisë.
Arti i poezisë thellohet në relacione të caktuar semantike, përmes një karakerizimi metafiksional,
ku shenjat esenciale përqendrohen te fakti i mungesës dhe te çasti i dhimbjes dhe i mërzisë.
Portretizimi i Nanës, i detyrohet marshit sipëror të përfytyrimit dhe të shpërfytyrimit për të arritur deri te pavdekësia e ndjeshmërisë shpirtërore, kur poeti e lëshon një lloj ofshame ritmike, si në poezinë e parë “Paralajmërim për ata që do t’iu vdes nana”, me vargjet: “Një terr syve u bie/Si dita pa diell/Si nata pa hanë/Në ditën e katërqind e pestë/Kur mbetesh pa nanë”, pastaj në poezinë e dytë “Sa shpejt më harroi Nana”, me vargjet:”Nana sot e ka datëlindjen/U bë katër vjeçe/Sa ngadalë u rritkan të vdekurit”/, si dhe në poezinë e tretë: “Nana as sot nuk heq dorë nga lulet”, me vargjet:” Shtatë vjet u banë sot Nanë/Shumë bukur po dukesh/Hiq nuk
t’u paska vjetru/Qefini”/. Gjithsesi, në këtë triptik poetik shenjimi i këtyre rrethanave shpirtërore për poetin bëhet verifikim i pakapërcyeshëm i dhimbjes dhe akt i pandërprerë i mallit.
Fuqia përfytyruese e dashurisë së poetit për Nanën e bën poezinë e Lulzim Tafës përfaqësues të një poezie më mbresëlënëse në poezinë e sotme shqipe. Këto tri poezi e kanë një emërues të përbashkët emocional, pikërisht te Dashuria për Nanën që i jep kuptim jetës, pikërisht me fuqinë e vargjeve që burojnë nga shpirti i poetit.
Po kështu, sinkronizimi i ndjenjës me mendimin është një lloj shtegtimi i pafund në kërkim të mallit të pashtershëm. Poezitë përkushtuese të Lulzim Tafës për Nanën janë një lloj shenjtërimi lirik ku fuqizohet dashuria dhe madhërohet figura e saj.
Ndjesia kryetipore e dashurisë
Poezitë e Lulzim Tafës për dashurinë janë një projekt letrar që ofrojnë shenjat fantastike të frymëzimit poetik ku shqiptohet ndjesia shpirtërore bashkë me të gjithë përbërësit e dashurisë. Pa dyshim, kjo është njëra ndër pasuritë më të mëdha poetike për poezinë e një poeti. Çasti i ligjërimit të dashurisë mbërrin kulmin e përjetimit estetik, pikërisht me elementet më tërheqëse të botëpërjetimit. Aty zgjerohet hapësira e shenjimeve me treguesit e zjarrmisë shpirtërore.
Në poezitë “Të dielave mos më thirr”, “Ke fjetur nën hënë”, “Shkurtimi i një emri të bukur”, “Të dua më shumë se Paulinën”, “Ashensori”, “Vasha e Dukagjinit”, “Kur ti më thërret” etj., shqiptohet fuqishëm ëndrra e dashurisë në krijimin e situatave lirike.
Kodi i shqiptimit të dashurisë zbërthehet përmes zërit të poetit. Shenjat e shpërthimit të ndjenjave sa vijnë e bëhen më të qarta duke i ndërlidhur kuptimet dhe domethëniet përbrenda formulës së poezisë. Në fakt, poezia është formulë magjike e ndjenjave, mendimeve, përfytyrimeve, figurave. Është interpretim i imazheve që përmes tyre shprehet çasti i krijimit.
Poezia është burim i mendjes, ka thënë Borhesi. Njëra ndër poezitë që i ka shenjat e veçanta lirike në tërë opusin krijues të Lulzim Tafës është poezia “Andrra”. Është një procesion metafizik që zbulon situata përbrenda substancës së krijimit duke i dhënë gjallëri gjuhës poetike, për ta fuqizuar udhëtimin shpirtëror të poetit në kërkim të lojës metaforike me yjet, me qiellin, me planetet e tjera, në kohë-hapësirën ku dashuria bashkë me ëndrrën e ushtrojnë misionin e vet, pastaj për të ngadhënjyer mbi përballjet e shumëfishta. Është një kërkim që mund t’i ngjajë doktrinës së Jungut për ëndrrat.
A është ekzistenca aventurë shpirtërore nëse është në harmoni me fuqinë qiellore apo me gravitetin tokësor, derisa në këtë ëndërr mbijeton poeti kur thotë: “Se/Zoti është një fëmijë i vogël/Që luan me yje”.
Në poezinë “Andrra” jepen variacionet e ligjërimit parodizues brenda një konteksti të caktuar poetik dhe figurativ. Këto karakterizime i projekton LulzimTafa, poet i përkushtuar, me talent dhe i formuar, i cili ligjërimin e tij poetik e thur në mënyrën më të bukur, mahnitëse dhe të mrekullueshme. Këto tri shenja të dallueshme e fuqizojnë fushën semantike me atributet e tyre.
Lulzim Tafa me stilin e tij krijues i ka tipizuar përbërësit e andrrave apo të ëndrrave. Loja e tij me gjuhën nëpër të gjitha shtresat semantike e shqipton rrugën e frymëzimit drejt përsosmërisë së motiveve dhe temave.
Lulzim Tafa edhe kur e përgatit ekspozitën e tij poetike me ëndrra, mendon për zhgjëndrrën dhe jetën. Në botën e tij letrare funksionalizohen gjithnjë idetë fundamentale. Poezitë “Ekspozitë me ëndrra”, “Ëndrra për kalorësit e botës”, “Pasaktësia e një ëndrre”, “Teoria e shpjegimit të ëndrrave”, “Tri pyetjet për shpjegimin e andrrave”, “Andrrat nuk janë si njerëzit”, “Pazari i
ëndrrave”, “Poezia në bursë ose ëndrra me vargje dhe dollarë”, sikur i nënshtrohen analizës dhe vlerësimit të poetit që ta projektojë ëndrrën më të bukur krijuese, mbase në themel të krijimtarisë së tij letrare. Në këtë mënyrë, prania e ëndrrës në poezinë e Lulzim Tafës është rishfaqje e dimensionit psikologjik, e artikuluar në disa variacione.
Po kështu në mesin e shumë poezive përbrenda opusit krijues të Lulzim Tafës, dallohen poezitë
përkushtuese, poezitë që trajtojnë temën e dhimbjes, poezitë që trajtojnë temën e luftës dhe poezitë që e kanë referencë kodin biblik.
E para: Në procesin e krijimit të poezisë në trajtën më dashuruese është poezia përkushtuese, e
fuqizuar përmes ndjeshmërisë poetike dhe cilësimit figurativ për shëmbëlltyrat e poetëve. Është
një dialog poetik, i sistemuar dhe i lidhur ngushtë me frymën, shpirtin, artin, krijimin, por edhe me adhurimin, sikundër edhe me të shkuarën dhe të ardhmen, pastaj me kohën, hapësirën, rrethanat etj.
Në ligjërimin e tij poetik nëpërmjet ideve dhe figurave portretizohen poetët: Çarls Bukovski, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Mirko Gashi, Basri Çapriqi, Kujtim Paçaku, Jevrem Bërkoviq, Izet Sarajliq, Dmytri Chystiak, Ion Deaconesku, Bujar Tafa etj. Duke e ndjekur këtë praktikë krijuese të shqiptimit të shenjave të përveçme për poetët, Lulzim Tafa, sjell figura, simbole, metafora, imazhe etj., të cilat e kanë përbrenda magjinë e vet frymëzuese për veprat e poetëve.
Poezitë përkushtuese për poetët, para se gjithash, i shquan adhurimi për vlerat e poezisë së tyre,
prandaj përzgjedhja e shëmbëlltyrave, gjithsesi, është privilegj i lumtur i poetit, madje rimarrje e
dashurisë për artshkrimin e tyre.
E dyta: Edhe në poezitë ku dhimbja bëhet kryetemë e kryefigurë, siç janë poezitë: “Në mungesën tonë”, “Edhe ata që nuk i njohim vuajnë”, “Ti a ke dhimbje”, “Planeti i dhimbjes”, “Lisat”, “Ata më thanë ik e unë ika”, “Lisat flejnë në këmbë”, “Gjaku nuk bëhet ujë” etj., Lulzim Tafa, dëshmon shkathtësinë e tij krijuese në përdorimin e lirisë poetike përbrenda poezisë, aty ku me mjeshtëri kombinohen fjalët dhe figurat, idetë dhe konceptet, gjuha dhe stili, imazhi real dhe imazhi irreal etj.
Trajtimi i temës së dhimbjes në poezinë e Lulzim Tafës është i shpjegueshëm në shumë rrafshe të interpretimit edhe kur e funksionalizon ritmin poetik, si rrjedhojë e dramatizimit të temave dhe
motiveve. Kësisoj, dhimbja paraqitet e përjetohet në mënyrën e vet duke marrë kuptim, ngjyrim dhe domethënie të caktuar poetike. Në poezinë e Lulzim Tafës vizatohet figurativisht planeti i dhimbjes, pastaj harta e dhimbjes, ndërsa njeriu lind, jeton e vdes me dhimbje duke udhëtuar me hartën e Kosovës në shpinë (poezia “Gjaku nuk bëhet ujë”). Dhimbja është thurje e bukur që e ndërton mozaikun e fatit të njeriut për t’u shndërruar në një palimpsest i të gjitha vuajtjeve shpirtërore. Është lidhja e një situate shpirtërore me situatën tjetër medituese, madje dhimbja është citat i përjetshëm i jetës dhe i vdekjes.
E treta: Poezitë për luftën shqiptohen nga një pozicion tjetër autorial. Përtej gjendjes shpirtërore
janë jeta, liria dhe vdekja, Pak më larg është vetmia bashkë me ankthin e halucinacionet, pastaj përsëritja e vazhdueshme e trishtimit. Përjetimi i luftës rikrijon pamje heroizimi, por edhe
pamje tmerri. Në poezitë “Vdekja çon fjalë”, “Reportazh i luftës së shenjtë”, “Lufta”, “Sllavisha me Yugo të kuqe”, “Svetllana dhe lufta”, “Lufta e Katërt Botërore” etj., Lulzim Tafa, bën një renditje të imazheve që e formësojnë metaforikisht besueshmërinë e përjetimit të çasteve
jetësore, prandaj jo rrallë organizimi i ligjërimit bëhet me përmbysje të situatave në kuadrin e evidentimit dhe karakterizimit të elementeve esenciale.
Djegia e shtëpisë, e bibliotekës, e librave, e dorëshkrimeve, përfytyrohet e shpërfytyrohet në
poezitë e Lulzim Tafës që trajtojnë temën e luftës. Kujtesa e poetit mbijeton pikërisht me triumfin e shpirtit njerëzor. Imazhet e frikshme e të tmerrshme i rikrijojnë situatat e panumërta të
ballafaqimit me vdekjen, derisa barten kujtimet e tmerrit, pothuajse, herë në qiell e herë në tokë,
derisa merr fund drama e dhimbjes njerëzore dhe drama e dhimbjes kombëtare.
E katërta: Te lloji i poezive që e kanë reference kodin biblik, në radhë të parë, për Adamin dhe
Evën etj., Lulzim Tafa, i rinovon idetë dhe konceptet për ta zgjeruar hapësirën krijuese me meditime lirike që prodhojnë artshkrimin të pasuruar me gojëdhëna, mite e legjenda. Ky proces tashti bart më shumë shenja të ekzistencës, madje shenja që marrin kuptime të reja.
Poezitë “N’zanafillë”, “Rivali i Adamit”, “Përralla për fëmijë”, “Në maternitet”, “Protestë”, “Vëllavrasje”, “Frika”, “Gru e dru qajnë si ne”, “Kujtime të pashkruara”, “Kaltër dhe kuq”, “AND”, sjellin një pikëshikim të ri në poezinë e Lulzim Tafës.
Gjatë procesit krijues shumë shembuj të vargjeve përfaqësojnë domethënien semantike të mitit me gjuhën, figurën, idenë, aty ku shpaloset teoria e krijimit të botës, kësaj radhe, fuqizohet si teori e krijimit të vargjeve poetike. Në këtë drejtim, poezia e Lulzim Tafës është e mbushur me plot kuptime simbolike, ku secili prej tyre luan rol të veçantë në relacionin shenjuesi dhe i shenjuari.
Përfundimi
Poezia e Lulzim Tafës i referohet një leximi të frymëzuar dhe një përjetimi të veçantë estetik. Për
nga idetë, stili dhe ironia lirike kjo poezi ndërlidhet me poezinë e viteve të tetëdhjetë të shekullit të kaluar, ndërkaq poeti i takon brezit të poetëve të viteve nëntëdhjetë.
Në poezinë e këtij poeti, në njërën anë, fuqizohet paradoksi dhe kontrasti, ndërsa në anën tjetër,
përmbyset konvenca dhe klishetizmi. Në fakt, është një poezi që i thellon variantet shkrimore gjuhësore të shqipes: i rimerr, i sistemon dhe i funksionalizon në raport me botëpërjetimin, duke e forcuar poetikën, madje edhe në rrafshe brendatekstore, për të krijuar efekte estetike pikërisht me kodin e vet poetik, kryesisht përmes gjuhës poetike.
Në këtë mënyrë poezia e Lulzim Tafës e ruan dhe e pasuron ligjërimin dhe ndërton kuptime të veçanta poetike, duke u ndërlidhur me dukuri dhe fenomene të realitetit jetësor, sikundër që e formëson botën e vet apo modelin e vet krijues me vlerat e përfaqësuara.
Po e përmbyll parathënien për Antologjinë Personale të Lulzim Tafës, pikërisht me vargjet e tij virtuoze: “Poezia është si Toka/Veç pak më e madhe”.
(Parathënia e librit “Antologji personale”, Kosova PEN Center, Prishtinë, 2025)/ KultPlus.com