Nga Sali Bashota
Përzgjedhja e poezive nga vetë poeti duke u përcaktuar për krijimet më të dashura,
pa dyshim, është një sfidë e bukur, edhe pse në këtë rast është vështirë për secilin poet ta dallojë njërën poezi, por është edhe më vështirë ta mënjanojë tjetrën, madje edhe kur nuk e ndjek as rendin kronologjik të botimit të veprave të veta. Kriteri subjektiv mbase është edhe një vendim enigmatik për secilin poet. Po kështu, ndodh përafërsisht edhe kur i referohet vetëm një dimensioni të caktuar, qoftë tematik, motivor, estetik, figurativ, stilistik etj., sepse ridëshmohet sfida tjetër e radhës përbrenda aktit komunikues me lexuesin.
Mbi tridhjetë vjetët e krijimtarisë poetike të Lulzim Tafës që janë paraqitur në tetë libra me poezi: “Gjaku nuk bëhet ujë” (1993), “Metaforë e pikëlluar” (1995), “Planeti Babiloni” (1997), “Vdekja çon fjalë” (1998), “I kam edhe dy fjalë” (2012), “Shtini n’dhe këto fjalë” (2015), “Flirt” (2019) dhe “Rivali i Adamit” (2024), dëshmojnë për individualitetin e një poeti që udhëtimin e tij krijues e bën vetëm me zjarrin e poezisë në shpirt.
Prirja e tij kryesore, pra poezia, e ka krijuar ndjesinë shpirtërore për ta fuqizuar teknikën e tij shkrimore, duke depërtuar në shtresat semantike të tekstit poetik, si me idetë, motivet, temat, por edhe me përbërës të tjerë. Që nga fillimet e tij krijuese, Lulzim Tafa, bën një lojë të shkathët poetike me fjalë të zgjedhura dhe me figura të bukura, madje bën një lojë magjike me gjuhën e tij poetike, në radhë të parë, për ta kapur esencën e ndjenjave kryetipore përbrenda ritmit të ideve dhe mendimeve në një udhëtim të sigurt, të zjarrtë e pasionant. Prandaj loja e tij e shkathët poetike shqiptohet aty ku fillon të ndërtohet sistemi filozofik i krijimit, i poezisë, pra thelbi i saj, në mënyrë të veçantë, ritmi i asociacionit, siç do të thoshte Northrop Fraj. Natyrisht është një fat i mrekullueshëm për secilin poet kur gjuha, ligjërimi, figura e afirmojnë dhe e zhvillojnë rrugën e tij poetike përbrenda horizontit të receptimit.
Kësaj radhe, Antologjia Personale e Lulzim Tafës bëhet kryetemë e dashurisë së tij për poezinë përbrenda ndjeshmërisë së tij shpirtërore duke i sistemuar idetë, konceptet dhe mendimet e tij krijuese.
Efekti estetik i lirisë poetike
Lulzim Tafa shkruan vargje që të mallëngjejnë dhe të rrëmbejnë njëkohësisht, siç janë për shembull poezitë “Paralajmërim për ata që do t’iu vdes Nana”, “Sa shpejt më harroi Nana”, “Andrra”, “Letër Bujar Tafës” etj.
Ritmi i poezisë së tij arrin kulminacionin e ironisë lirike, pikërisht me përshkrimin
figurativ të mungesës e zbraztësisë dhe me fuqizimin magjepsës të fenomeneve të realitetit jetësor si përjetim estetik në shumicën e fushave semantike. Kështu ndodh me tipin e poezive, kur në epiqendër qëndrojnë ëndrrat, derisa poeti përgatit ekspozitën e tij shpirtërore me ndjenja, mendime, figura, ide, stil, gjuhë dhe me përplot metafora të bukura. Kështu ndodh në imagjinatën e tij, kur e trajton fatin e njeriut nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme, kur e koleksionon dashurinë dhe lumturinë apo edhe vuajtjen e dhimbjen, për t’i shpjeguar figurativisht fshehtësitë e kësaj bote. Kështu ndodh, kur shkruan me admirim vargje përkushtuese për poetët. Po kështu ndodh, kur e trajton motivin e luftës apo kur merret me zbërthimin e miteve dhe legjendave ose kur e rikrijon imazhin për zanafillën e qenies njerëzore, për Adamin, Evën etj.
Lulzim Tafa e përcakton qartë idenë e krijimit poetik duke qenë ngulmues i shkathët për t’i zbuluar të panjohurat dhe të pathënat për qenien njerëzore në një kontekst të ri stilistik e figurativ, pastaj për t’i emërtuar gjërat dhe fenomenet sipas kodit të tij poetik. Këtu mund të bëhet fjalë për përzgjedhjen dhe për përfshirjen e imazheve simbolike e metaforike përbrenda ligjërimit, ritmit dhe figurës, për t’i zgjuar ndjenjat e heshtura dhe të panjohura të njeriut në kohë lufte, në kohë
dihet se secila kohë përjetohet në rrethana të caktuara dhe e ruan kujtesën e vet.
Poezia e Lulzim Tafës i ka shenjat e veta që dëshmojnë rrugëtimin e tij krijues përbrenda një shtegtimi të pafund, ku fillon thurja e aktit krijues të shkrimit, duke iu dhënë përparësi ideve dhe koncepteve kryesore përmes tablove, çasteve, situatave, pastaj fuqizohet mesazhi i poezisë përmes shenjave poetike, ku pikat e matjes së dashurisë, dhimbjes, ëndrrave, nostalogjisë, fatit, vetmisë etj., i formësojnë rrathët e vet koncentrikë dhe secila bëhet më tërheqëse, më domethënëse, më kuptimplote.
Përmes poezisë së tij, Lulzim Tafa, pothuajse, e zvogëlon trishtimin dhe melankolinë, ndërsa e zmadhon jetën dhe dashurinë. Për më tepër litota dhe hiperbola janë dy nga figurat stilistike që e ndërtojnë formën e ëndrrave të poetit, pastaj vijnë enumeracioni, simboli, metafora, antiteza, alegoria, paradoksi, krahasimi, paralelizmi etj.
Poezia e Tafës nuk zbaton rregulla, por zbaton ndjeshmëri, madje edhe temperament të veçantë gjuhësor duke shtresuar sa më shumë imazhe në triumfin e plotë të çasteve dhe detajeve parodizuese.
Për poetin mjafton dimensioni emocional, i harmonizuar me dimensionin poetik, psikologjik dhe filozofik. Edhe kur ëndrra e paralajmëron zhgjëndrrën, edhe kur rrënjët e dashurisë i lidhin fijet e lumturisë përbrenda realitetit ekzistues, ndërsa secili nga episodet e jetës strukturohet deri te pavdekësia e shpirtit.
Prandaj ndjeshmëria e tyre e përcakton dimensionin e një rituali krijues përmes së cilit renditen fenomenet jetësore dhe fenomenet letrare. Aty ka virtyte e vese. Ay ka situata të paharrueshme. Aty frymon çdo detaj. Aty ka lumturi. Aty fiton gjithmonë e bukura. Aty ka përplot dashuri. Kështu përmes mesazhit poetik jetësorja bëhet letrare, ndërsa letrarja fuqizohet nëpër të gjitha shtresat semantike të poezisë për të mbërritur dimensionin e caktuar të ligjërimit.
Triptiku poetik për Nanën
Tri poezitë e Lulzim Tafës për Nanën janë poezi antologjike, ndër më të bukurat, që hyjnë përbrenda hierarkisë së vlerave të poezisë së sotme shqipe, pikërisht me mrekullimin e magjisë së dashurisë për Nanën në radhë të parë, përmes gjuhës dhe meditimit.
Në këto tri poezi, burimi i emocioneve fuqizohet e dramatizohet nëpërmjet shenjave të dashurisë në çdo fazë të jetës, herën e parë dhe shenjave të mërzisë, dhimbjes, mungesës, herën e dytë, për të qëndruar gjithmonë përbrenda shpirtit të poetit. Në çdo çast është e pranishme dashuria e përjetshme dhe e pakrahasueshme për Nanën.
Prandaj kur poeti e çel këtë shteg të dashurisë, nuk mund ta mbyll më. Kësaj radhe, është shtegu i përjetësisë përbrenda lirikës së pikëlluar, bashkë me baladën dhe elegjinë. Aty formësohet rrethi i vetmisë së pafund.
Nana ka shkuar në amshim. Nana hesht. Nana nuk flet. Nana mbledh lule. Nana është në parajsë. Këto tri poezi janë ndër shembujt më të përsosur të ligjërimit përmes thjeshtësisë poetike të vargut, pikërisht me mjeshtërinë e mahnitshme të ideve, sigurisht përmes shpërthimit më emocional në tërë krijimtarinë e Lulzim Tafës.
Fund e krye, në këto tri poezi drama shpirtërore e poetit zhvillohet përbrenda këtyre akteve, pikërisht në kërkim të zjarrit krijues, për t’i kapërcyer të gjitha urat midis jetës dhe vdekjes, derisa poeti të dalë në rrugën vetmitare, duke pëshpëritur më zë të lartë emrin e saj ose mungesën e saj ose mërzinë për të, duke dëshmuar se Fryma e Nanës ekziston dhe nuk vdes kurrë.
Kjo Frymë e fuqizon mrekullinë dhe madhështinë e përjetësisë; bëhet motiv gjallërues, riformësohet me dritën e vet, madje kur kapërcehet pragu i jetës për të mbërritur deri te pragu metafizik. Për më tepër, “kuvendimi” i poetit me Nanën, kur ajo tashmë ndodhet në botën e amshuar, është lidhja e fuqishme shpirtërore që një poet mund ta bëjë përmes artit krijues në jetën e tij, bëhet himn i shpirtit dhe testament i fjalës së shkruar. Në këtë udhë të krijimit, ndërtohet dhe funksionalizohet përjetësia e vargut poetik. Poezia bëhet më e fuqishme, më dramatike, më fantastike sepse lidhet me ndjenjën e amësisë. Prandaj përbrenda kësaj rikujtese dhe kësaj ndjenjeje, çdo ëmbëlsi e fjalës së saj shndërrohet në imazh të bekuar. Këto elemente metaforike e simbolike janë të pranishme në triptikun poetik “Paralajmërim për ata që do t’iu vdes Nana”, “Sa shpejt më harroi Nana” dhe “Nana as sot nuk heq dorë nga lulet”. Në këtë mënyrë, Lulzim Tafa, e tejkalon perceptimin simbolik e mallëngjyes, duke e mishëruar dashurinë për Nanën përbrenda imazhit të pavdekësisë. Arti i poezisë thellohet në relacione të caktuar semantike, përmes një karakerizimi metafiksional, ku shenjat esenciale përqendrohen te fakti i mungesës dhe te çasti
i dhimbjes dhe i mërzisë.
Portretizimi i Nanës, i detyrohet marshit sipëror të përfytyrimit dhe të shpërfytyrimit për të arritur deri te pavdekësia e ndjeshmërisë shpirtërore, kur poeti e lëshon një lloj ofshame ritmike, si në poezinë e parë “Paralajmërim për ata që do t’iu vdes nana”, me vargjet: “Një terr syve u bie/Si dita pa diell/Si nata pa hanë/Në ditën e katërqind e pestë/Kur mbetesh pa nanë”, pastaj në poezinë e dytë “Sa shpejt më harroi Nana”, me vargjet:”Nana sot e ka datëlindjen/U bë katër.
https://exlibris.al/wp-content/uploads/2025/05/EXLIBRIS_337.pdf