Nga Sali Bashota Përzgjedhja e poezive nga vetë poeti duke u përcaktuar për krijimet më të dashura,pa dyshim, është një sfidë e bukur, edhe pse në këtë rast është vështirë për secilin poet ta dallojë njërën poezi, por është edhe më vështirë ta mënjanojë tjetrën, madje edhe kur nuk e ndjek as rendin kronologjik të botimit të veprave të veta. Kriteri subjektiv mbase është edhe një vendim enigmatik për secilin poet. Po kështu, ndodh përafërsisht edhe kur i referohet vetëm një dimensioni të caktuar, qoftë tematik, motivor, estetik, figurativ, stilistik etj., sepse ridëshmohet sfida tjetër e radhës përbrenda aktit komunikues me lexuesin. Mbi tridhjetë vjetët e krijimtarisë poetike të Lulzim Tafës që janë paraqitur në tetë libra me poezi: “Gjaku nuk bëhet ujë” (1993), “Metaforë e pikëlluar” (1995), “Planeti Babiloni” (1997), “Vdekja çon fjalë” (1998), “I kam edhe dy fjalë” (2012), “Shtini n’dhe këto fjalë” (2015), “Flirt” (2019) dhe “Rivali i Adamit” (2024), dëshmojnë për individualitetin e një poeti që udhëtimin e tij krijues e bën vetëm me zjarrin e poezisë në shpirt. Prirja e tij kryesore, pra poezia, e ka krijuar ndjesinë shpirtërore për ta fuqizuar teknikën e tij shkrimore, duke depërtuar në shtresat semantike të tekstit poetik, si me idetë, motivet, temat, por edhe me përbërës të tjerë. Që nga fillimet e tij krijuese, Lulzim Tafa, bën një lojë të shkathët poetike me fjalë të zgjedhura dhe me figura të bukura, madje bën një lojë magjike me gjuhën e tij poetike, në radhë të parë, për ta kapur esencën e ndjenjave kryetipore përbrenda ritmit të ideve dhe mendimeve në një udhëtim të sigurt, të zjarrtë e pasionant. Prandaj loja e tij e shkathët poetike shqiptohet aty ku fillon të ndërtohet sistemi filozofik i krijimit, i poezisë, pra thelbi i saj, në mënyrë të veçantë, ritmi i asociacionit, siç do të thoshte Northrop Fraj. Natyrisht është një fat i mrekullueshëm për secilin poet kur gjuha, ligjërimi, figura e afirmojnë dhe e zhvillojnë rrugën e tij poetike përbrenda horizontit të receptimit.Kësaj radhe, Antologjia Personale e Lulzim Tafës bëhet kryetemë e dashurisë së tij për poezinë përbrenda ndjeshmërisë së tij shpirtërore duke i sistemuar idetë, konceptet dhe mendimet e tij krijuese. Efekti estetik i lirisë poetike Lulzim Tafa shkruan vargje që të mallëngjejnë dhe të rrëmbejnë njëkohësisht, siç janë për shembull poezitë “Paralajmërim për ata që do t’iu vdes Nana”, “Sa shpejt më harroi Nana”, “Andrra”, “Letër Bujar Tafës” etj. Ritmi i poezisë së tij arrin kulminacionin e ironisë lirike, pikërisht me përshkrimin figurativ të mungesës e zbraztësisë dhe me fuqizimin magjepsës të fenomeneve të realitetit jetësor si përjetim estetik në shumicën e fushave semantike. Kështu ndodh me tipin e poezive, kur në epiqendër qëndrojnë ëndrrat, derisa poeti përgatit ekspozitën e tij shpirtërore me ndjenja, mendime, figura, ide, stil, gjuhë dhe me përplot metafora të bukura. Kështu ndodh në imagjinatën e tij, kur e trajton fatin e njeriut nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme, kur e koleksionon dashurinë dhe lumturinë apo edhe vuajtjen e dhimbjen, për t’i shpjeguar figurativisht fshehtësitë e kësaj bote. Kështu ndodh, kur shkruan me admirim vargje përkushtuese për poetët. Po kështu ndodh, kur e trajton motivin e luftës apo kur merret me zbërthimin e miteve dhe legjendave ose kur e rikrijon imazhin për zanafillën e qenies njerëzore, për Adamin, Evën etj. Lulzim Tafa e përcakton qartë idenë e krijimit poetik duke qenë ngulmues i shkathët për t’i zbuluar të panjohurat dhe të pathënat për qenien njerëzore në një kontekst të ri stilistik e figurativ, pastaj për t’i emërtuar gjërat dhe fenomenet sipas kodit të tij poetik. Këtu mund të bëhet fjalë për përzgjedhjen dhe për përfshirjen e imazheve simbolike e metaforike përbrenda ligjërimit, ritmit dhe figurës, për t’i zgjuar ndjenjat e heshtura dhe të panjohura të njeriut në kohë lufte, në kohë dihet se secila kohë përjetohet në rrethana të caktuara dhe e ruan kujtesën e vet.Poezia e Lulzim Tafës i ka shenjat e veta që dëshmojnë rrugëtimin e tij krijues përbrenda një shtegtimi të pafund, ku fillon thurja e aktit krijues të shkrimit, duke iu dhënë përparësi ideve dhe koncepteve kryesore përmes tablove, çasteve, situatave, pastaj fuqizohet mesazhi i poezisë përmes shenjave poetike, ku pikat e matjes së dashurisë, dhimbjes, ëndrrave, nostalogjisë, fatit, vetmisë etj., i formësojnë rrathët e vet koncentrikë dhe secila bëhet më tërheqëse, më domethënëse, më kuptimplote.Përmes poezisë së tij, Lulzim Tafa, pothuajse, e zvogëlon trishtimin dhe melankolinë, ndërsa e zmadhon jetën dhe dashurinë. Për më tepër litota dhe hiperbola janë dy nga figurat stilistike që e ndërtojnë formën e ëndrrave të poetit, pastaj vijnë enumeracioni, simboli, metafora, antiteza, alegoria, paradoksi, krahasimi, paralelizmi etj. Poezia e Tafës nuk zbaton rregulla, por zbaton ndjeshmëri, madje edhe temperament të veçantë gjuhësor duke shtresuar sa më shumë imazhe në triumfin e plotë të çasteve dhe detajeve parodizuese.Për poetin mjafton dimensioni emocional, i harmonizuar me dimensionin poetik, psikologjik dhe filozofik. Edhe kur ëndrra e paralajmëron zhgjëndrrën, edhe kur rrënjët e dashurisë i lidhin fijet e lumturisë përbrenda realitetit ekzistues, ndërsa secili nga episodet e jetës strukturohet deri te pavdekësia e shpirtit. Prandaj ndjeshmëria e tyre e përcakton dimensionin e një rituali krijues përmes së cilit renditen fenomenet jetësore dhe fenomenet letrare. Aty ka virtyte e vese. Ay ka situata të paharrueshme. Aty frymon çdo detaj. Aty ka lumturi. Aty fiton gjithmonë e bukura. Aty ka përplot dashuri. Kështu përmes mesazhit poetik jetësorja bëhet letrare, ndërsa letrarja fuqizohet nëpër të gjitha shtresat semantike të poezisë për të mbërritur dimensionin e caktuar të ligjërimit. Triptiku poetik për Nanën Tri poezitë e Lulzim Tafës për Nanën janë poezi antologjike, ndër më të bukurat, që hyjnë përbrenda hierarkisë së vlerave të poezisë së sotme shqipe, pikërisht me mrekullimin e magjisë së dashurisë për Nanën në radhë të parë, përmes gjuhës dhe meditimit. Në këto tri poezi, burimi i emocioneve fuqizohet e dramatizohet nëpërmjet shenjave të dashurisë në çdo fazë të jetës, herën e parë dhe shenjave të mërzisë, dhimbjes, mungesës, herën e dytë, për të qëndruar gjithmonë përbrenda shpirtit të poetit. Në çdo çast është e pranishme dashuria e përjetshme
Epoka e Re: Ditë e mërzisë virtuale
Kultplus: Ditë e mërzisë virtuale
Poezi nga Lulzim Tafa Unë nuk jam poet i instagramitNjerëzit në instagramGjithmonë më janë dukur gënjeshtarTa bëjnë like pa të lexuarTë pafytyrët Unë kam mijëra followersDhe sot s’kam folë me asnjë njeriMerreni me mend çfarë vetmie e madhe Gruaja që dashurojMë nuk është online Ajo u arsyetua se neNuk jemi më të lidhurEdhe pse unë e kontrollova Wi-Fi-nDhe çdo gjë ishte në rregull Nuk vonoi shumë dhe ajoPostoi një porosi të vjetër të Shopenhauerit“Merrni më pak kënaqësi, nëse doni më pak dhimbje” S’e di pse papritmasMë lind dëshira ta vras dikë që s’e njohTë panjohurit gjithmonë më janë dukur të rrezikshëm Krejt në fundNjë dreq gazetar i kulturës më pyetiÇfarë jeni duke lexuar kohët e fundit? Komente n’instagrami thash./ KultPlus.com
Kultplus: Dekodimi i ëndrrave të librit “Ekspozitë me ëndrra” nga Lulzim Tafa
Recension i librit Festinë Xh Krasniqi Libri “Ekspozitë me ëndrra” është një libër i ndërtuar me poezi, i shkruar nga autori Lulzim Tafa, i cili është fitues i shumë çmimeve prestigjioze ndërkombëtare për letërsi. Po ashtu, ai është bartës i shumë dekoratave dhe mirënjohjeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Lulzim Tafa, përmes kësaj vepre, shqyrton dimensionet shpirtërore dhe psikologjike të individit. Përdorimi i figurave dhe simboleve na mundëson një analizë të thellë të ndërveprimit mes elementeve shpirtërore dhe psikologjike. Vepra e tij është e realizuar përmes tetë kapitujve: “Ëndrra”, “Poetët”, “Dashuria”, “Lufta”, “Dhimbja”, “Hija”, “Vdekja”, “Adami”. Vepra fillon me një poezi program, të quajtur “Poezia është si toka”, ku poezia paraqitet një forcë krijuese si toka, të cilën e paraqet themelore për ekzistencën. Vepra ndërtohet kryesisht nga vargu i lirë, në të cilin dominon gjashtërrokëshi. Poezia e Lulzim Tafës ndërtohet nga shumë motive, siç janë: Dashuria, lufta, vdekja, kujtimi për të kaluarën, liria, dhimbja, etj. Nga figurat stilistike, më shumë shohim të paraqitur enumeracionin, i cili shfaqet përmes kësaj vepreje dhe është karakteristikë për poetin, ngase në çdo poezi të tij ne takojmë këtë figurë, e një ndër to është edhe poezia: “Poezia është si toka” : “Ka dete e oqeane, Ka male e bjeshkë, Gurë e dru e fruta” Ose te poezia “Andrra” “Nuk ekzistojnë malet, detet, oqeanët As qiejt Nuk ekzistojnë planetët Dielli, Toka e Hana Hana hiç se hiç” Në këtë poezi, ne përballemi me kontrastin e dy realiteteve të kundërta. Jeta, për subjektin poetik shfaqet si një iluzion i ëndrrës, ku çdo ngjarje që ndodh perceptohet si një fantazi. Pas strofës së tretë, kjo ide bëhet më e qartë kur ai shpreh se diçka kaq e bukur nuk mund të ekzistojë në realitet. Përballja më e thellë ndodh kur ndjenjat shpërthejnë dhe kjo ndihet më së miri në vargjet: “Nuk ekziston as dashuria, edhe pse të dua.” Megjithatë, ai nuk e vë në dyshim ekzistencën e Zotit, duke pohuar se ai është diku, ndoshta ai që na shikon në ëndërr, duke shfaqur në këtë mënyrë rolin e poetit. Ky rol e mbështet idenë se diçka e krijuar nuk mund të mohohet. Ndërsa, përmes antitezës, Tafa paraqet mallin, i cili në shumicën e poezive shfaqet përmes ëndrrave: “Të kam parë ëndërr si drenushë E drenushat vrapojnë shpejt E ti as që ecën” Në poezinë “Teoria e shpjegimit të ëndrrave”, vërehet se poeti e nis poezinë me paraqitjen e gjarprit në ëndërr, një simbol që, sipas interpretimit të ëndrrave të Frojdit, lidhet me dëshira, ngacmime dhe synime që janë të shtypura, të ndrydhura dhe jashtë vetëdijes së individit. Gjarpri, sipas Lulzim Tafës, nëse shfaqet në ëndërr, “të ka kafshuar lojën”, një figurë që lidhet me interpretimin e Frojdit, ku gjarpri përfaqëson një simbol të seksualitetit dhe tensioneve të pavetëdijshme që lidhen me këtë tematikë. Një themel i rëndësishëm i veprës është edhe paraqitja e autorëve të shquar, si Musa Ramadani, të cilin Tafa në poezinë “Pazari i ëndrrave” e cilëson si mjeshtër të madh, ndërsa në poezinë e quajtur “Ogur” e përmend edhe Ali Podrimen. Në një kapitull të veçantë të titulluar “Poetët”, Tafa paraqet poezi për Çarls Bukowskin, të cilin e shquan për veçantinë e tij: “Ka shumë njerëz normal, ai ishte tjetër” Po ashtu, Tafa iu kushton poezi poetëve: Azem Shkreli, Mirko Gashi, Kujtim Paçaku, Izet Sarajliqi, Basri Çapriqi, etj. Brenda këtij kapitulli, ka edhe poezi kushtuar poetit ukrainas, Dymytri Chystiak, i njohur për qëndrimet e tij filozofike dhe politiko-letrare. Në poezi, Tafa kërkon të krijojë një lidhje ndërmjet poetëve ukrainas dhe rusë, duke përdorur këtë formë për të shprehur një mesazh paqeje dhe ndalimi të luftës mes këtyre dy popujve: “Dimër është Poetët rusë duhet ta dinë Se është tepër ftoftë Për lojën kuq e bardhë” Poezia thotë Tafa, është më e rëndësishme se ushtria dhe se lufta. Një shprehje figurative që Tafa përdor është “Çile guri gojën”, përmes së cilës paraqitet lidhja me letërsinë popullore, duke theksuar heshtjen dhe mungesën e shprehjes verbale. Ndërsa te poezia “Një vjeshtë në Shkodër”, autori paraqet edhe një këngë popullore të quajtur “Shkodra ka plot dashuri”. Megjithatë, përkundër lidhjes me letërsinë popullore, në një pjesë tjetër të poezisë së tij, vërejmë ndikimin e postmodernizmit, siç e cilëson edhe Atila Balzas, si një nga përfaqësuesit kryesorë të poezisë postmoderne në Evropë. Si një autor i poezisë bashkëkohore, Tafa sjell në veprat e tij emërtime të kohës, përmend figura dhe ngjarje të rëndësishme të aktualitetit, por tani duke i paraqitur ato përmes një fryme të re, si: “Beyonce”, “Show-bizi”, “Bezos”, “Gates”, “Kriptovaluta” etj. Autori gjithashtu shpjegon kuptimin e emrit të tij, duke treguar se emri është vendosur nga nëna e tij si një dashuri për lulet, ndaj ajo e quajti Lulzim. Por, në poezinë e tij, ai e paraqet këtë emër vetëm përmes shkurtesës “Lul”: “Sa shumë i donte Nana lulet,Edhe emrin ma la Lul.” Në poezinë “Sa shpejt më harroi Nana”, Tafa paraqet dhimbjen e madhe të subjektit poetik, brengën dhe trishtimin për vdekjen e nënës së tij, një ndjenjë braktisjeje që shfaqet më së miri përmes harresës së shpejtë që ndien ai nga nëna e tij. E këtë formë ai shfaq dashurinë e madhe për nënën. Tafa luan gjithashtu me gjuhën dhe efektet që ajo krijon. Për shembull, gjatë përshkrimit të një situate ku ka të bëjë me hedhjen nga lartësia, ai përdor vetëm një fjalë, të cilën e hasim te poezia “Këto leja një romi”: “Si prej qielli,kamera.” Në të cilën shohim që krijohet, efekti i hedhjes. Në ciklin e titulluar “Dashuria”, Tafa tregon se muza e tij poetike është e dashura me flokët e mëndafshta, dhe në këtë kuadër kërkon frymëzimin për poezitë e tij. Në këtë cikël, ai ka edhe dy poezi kushtuar Teutës. Në një nga to, të cilën e titullon edhe “Teutë”,Tafa e lartson aq shumë figurën e saj, sa thotë se edhe perënditë i përkulen asaj, duke e shpallur një figurë të rëndësishme. Ndërsa në ciklin për luftën, autori shkruan për fëmijët e pagjetur dhe gratë e përdhunuar, të cilat, sipas tij, paraqiten
Poeti Lulzim Tafa pjesëmarrës në manifestimin dyditor të 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës që u mbajt në Strugë, organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës
Më 11 dhe 12 shkurt 2025, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Konsullata e Përgjithshme në Strugë organizoi aktivitete letrare me mbrëmje poetike dhe tryezë letrare, me pjesëmarrje të shkrimtarëve dhe studiesve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Ulqini. Në manifestim mori pjesë edhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë z. Petrit Musaj.Në hapje të manifestimit, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut z. Agim Krasniqi në cilësinë e nikoqirit dhe organizatorit të këtij manifestimi, mbajti një fjalë rasti. Z. Krasniqi, pasi përshëndeti poetët dhe shkrimtarët e ftuar, falenderoi autoritetet lokale dhe pjesëmarrësit e shumtë prezentë në mbëmjen poetike duke uruar për 17 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ai, në vazhdim, foli shkurtimisht për historikun e pavarësimit të Kosovës dhe për aktualitetin politik në Kosovë.Në mbrëmjen poetike, nën përkujdesjen dhe moderimin brilant të regjisores Olsa Poshka, në mesin e shumë struganëve dashamirësve të poezisë, i lexuan poezitë e tyre të zgjedhura për Kosovën: Agim Vinca, Sadik Bejko, Ibrahim Berisha, Entela Kasi, Puntorie Muça Ziba, Binak Kelmendi, Sali Bashota, Saljdin Salihu, Lulzim Tafa, Lulzim Haziri dhe Hajredin Kovaçi. Në ditën e dytë nën drejtimin e z.Sali Bashota dhe znj. Entela Kasi u mbajt tryeza letrare: Shkrimtarët për Kosovën. Kumtesat shkencore i paraqitën shkrimtarët dhe studiuesit e letërsisë me temat e tyre: Ibrahim Berisha (Shkrimtari i Kosovës: identiteti dhe pavarësia), Sadik Bejko (Takimet e mia me Rugovën në vitet e nëntëdhjeta), Agim Vinca (Shkrimtarët për lirinë e Kosovës), Entela Kasi (Kadare dhe Kosova), Ismet Kallaba (Kosova në publicistikën e Basri Çapriqit), Salajdin Salihu (Shkrimtarët për Kosovën: dy qasje të kundërta), Binak Kelmendi (Pavarësia e Kosovës në shtypin francez), Qazim Muja (Jevrem Bërkoviqi dhe shkrimtarët e Kosovës) dhe Sali Bashota (Poetët për Kosovën). Ministry of Foreign Affairs and Diaspora – Republic of Kosovo
Poezia e Lulzim Tafës magjeps artdashësit në KultPlus Caffe Gallery, kolegët e cilësojnë si vazhdues të ideve poetike të Ali Podrimjes
Vjollca Duraku Personalitete të jetës kulturore dhe akademike, poetë, aktorë, miq e familjarë u mblodhën sonte, në këtë mbrëmje të bukur dhjetori, në ambientin e ngrohtë të KultPlus Caffe Gallery për të shijuar ‘Mbrëmjen Letrare’ dedikuar poetit të njohur Lulzim Tafa, i cili ndër vite me krijimtarinë e tij ka pasuruar botën e adhuruesve të letërsisë dhe të poezisë. Kjo mbrëmje e mbajtur sonte nën organizimin e KultPlus Caffe Gallery në shenjë të kremtimit të festave të fundvitit ka dhuruar emocione të shumta përmes vargjeve të poetit Tafa, që u interpretuan nga artistët, kolegët e tij poetë si dhe vetë ai, nën tingujt e bukur të kitarës së Riad Ramadanit. Me poezi dhe vargje të përzgjedhura në këtë mbrëmje poetike u paraqitën aktorët Albana Gashi me poezitë “Si toka” & “Tue kërkue veten” si dhe Valmir Kraniqi me “Vasha e Dukagjinit” & “Të dielave mos më thirr më”. Ndërsa me interpretimin e tyre kolegun poet e nderuan: Sali Bashota me poezinë “Këshillë për poetët e rinjë”, Naime Beqiraj me “Bisedë me hijet”, Rrahman Paçarrizi me “Paketimi i mërzisë”, Vlora Konushevci me “Nuk më luftohet, më flihet”, Arbër Selmani me “Pas pandemisë” dhe “Dritaren e ke të lejuar” dhe Jeton Kelmendi me një poezi kushtuar poetit Tafa. Më video poezi interpretuan vetë poeti Lulzim Tafa, Labinot Laçi dhe Vedat Haxhislami. Drejtoresha e Mediumit KultPlus, njëherit edhe organizatore e mbrëmjes poetike, Ardianë Pajaziti ka thënë se është kënaqësi për të që mbrëmjen e fundit letrare për vitin 2024 ta përmbyllë me poetin Lulzim Tafa. “Faleminderit që jeni pjesë e kësaj mbrëmje poetike të poetit dhe mikut tonë Lulzim Tafa. Kjo është mbrëmja e fundit që organizohet në KultPlus Caffe Gallery për këtë vit. Jo rastësisht po mbahet kjo mbrëmje me përzgjedhje të poezive me kaq përmbajtje dhe kaq të thella, të cilat prezantohen prej miqve të tij. Luli vazhdon me qenë mik i KultPlus-it. Kjo mbrëmje i dedikohet pikërisht për miqësinë poetike që e ka krijuar ndër vite me ne. Lulin e njohim të gjithë ai nuk rekomandon që t’i drejtohemi me tituj të tjerë, gjithmonë e thekson që titulli që i fle më së shumti është ai i poetit” ka thënë drejtoresha Pajaziti. Ndërsa, poeti Sali Bashota i cili edhe e ka udhëhequr mbrëmjen artistike për poetin Tafa ka thënë se ai është vazhdues i ideve të Ali Podrimjes. “Është një poet i veçantë që jeton me poezinë. Është një vazhdues i ideve të Ali Podrimjes. I njoh vetëm dy poetë që jetojnë vetëm me poezinë. Luli është i tillë, i thjeshtë, modest, një poet që po ngjitet majave të poezisë shqipe me veprat e tij poetike. Deri tani ai i ka botuar 300 poezi. 300 të tjera i janë djegur në luftë”, ka thënë poeti Bashota duke potencuar se Tafa është një poet që po ngjitet shkallëve të poezisë shqipe me talentin e tij të rrallë. Bashota më tej ka thënë që poeti Tafa në dy vitet e fundit ka pasur shumë suksese edhe në prezantimin dhe promovimin e disa prej vlerave të tij intelektuale në akademi të ndryshme, duke përfshirë edhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. “Luli i prezantohet edhe publikut në Shqipëri si një poet me vlera të arrira letrare. Sonte të gjithë miqtë e tij do të jemi bashkë me poezinë e Lulzim Tafës, e cila në çdo mënyrë na mbledh që të jemi sa më afër njëri tjetrit, ta duam poezinë, t’i duam vlerat e letërsisë shqipe. Do të ishte kënaqësi që çdo javë të kemi nga një takim të tillë me poetë të Kosovës që promovojnë vlerat tona sepse askush më shumë se poezia nuk mund ta paraqes atë ndjenjë dhe përjetimin e botës sonë shpirtërore, dashurinë në radhë të parë. Luli është poet edhe i ëndrrave por edhe poet dashurisë”, ka thënë poeti Bashota. Poeti Lulzim Tafa është shprehur tejet falënderues për këtë mbrëmje dedikuar poezisë së tij, e cila përkon edhe me ditën e poetit të tij të preferuar, “Rumit”. “Të nderuar miq, faleminderit që jeni sonte këtu, në këtë përjetim poetik të cilin e shijova shumë. Kjo mbrëmje është organizuar për mua. Nata e mbrëmshme ka shënuar ditën e vdekjes së Rumit, një ndër poetët më të mëdhenj që kishte njerëzmi, që kishte linjda e perëndimi. Edhe pse ai vetë thoshte që nuk i takonte as lindjes, e as perëndimit sepse ai nuk kishte kufinj. Ai thoshte se unë i takoj dashurisë, ashtu siç është e pakufishme edhe dashuria. Ju e dini lidhjen time me Rumin, me mistikun e hatashëm. Mund ta merrni me mend që kjo koincidencë pas natës së Rumit të mbahet në Prishtinë, një mbrëmje poetike me mua, më mrekullon”, ka thënë Tafa duke potencuar që poezia është jeta e tij. Kurse, shkrimtari dhe profesori universitar Rrahman Paçarrizi ka thënë që poezia e Tafës vazhdon ta mrekulloj çdo herë e më shumë. “Mendoj që jam ndër ata të cilët i lexoj poezitë e tij ende pa u botuar. Në njëfarë mënyre jam një lloj konsulenti për Lulin, sepse pasi ai shkruan poezinë iu lexon disa miqve të tij. Në këtë kuptim, siç u tha sonte ai i ngjason poetit Ali Podrimja nga mënyra e funksionimit, mënyra e të shkruarit të poezisë, por edhe nga mënyra e të jetuarit me poezinë. Për mua ka qenë një moment i veçantë. Në asnjë rast dhe për asnjë tjetër nuk do të lexoja poezi të huaja, por poezitë e Lulit i ndiej goxha sikurse të mijat e sidomos poezinë që e lexova sonte”, ka thënë Paçarrizi. Ndërkaq, poetja tjetër Vlora Konushevci ka thënë se Tafa me krijimtarinë e tij i ka kontribuar letërsisë shqipe, shpesh herë duke dalë edhe jashtë kornizave të brezit të tij. “Poezinë e tij e kam lexuar qysh moti. Fillimsht më duhet ta them që Luli është njeri shumë i mirë, pasi kjo është shumë e rëndësishme për të qenë pastaj edhe poet i mirë, sepse nëse je njeri i mirë e ke edhe empatinë e zhvilluar, ku pastaj në shkrim del i jashtëzakonshëm, ashtu siç del edhe
Mbrëmje letrare me poetin Lulzim Tafa
Në shenjë të kremtimit të festave të fundvitit, të mërkurën, më 18 dhjetor 2024, në orën 19:00, KultPlus organizon Mbrëmje Letrare me poetin e njohur, Lulzim Tafa. Në këtë mbrëmje do të marrin pjesë personalitete të jetës kulturore dhe akademike, poetë, aktorë, lexues të poezisë dhe miq të poetit. Në këtë mbrëmje do të lexohen poezi nga krijimtaria e poetit Lulzim Tafa, poezi që do të shoqërohen me tinguj të kitarës dhe shije të verës. Pjesëmarrja është vetëm me ftesa./ KultPlus.com
Poeti Lulzim Tafa promovon librin ‘Ekspozitë me Ëndrra’
Përgatiti: Armand Hoti Poeti Lulzim Tafa, promovoi të shtunën, librin e tij më të ri, Ekspozitë me Ëndrra”. Tafa tha se e mbajti premtimin e dhënë 10 vjet më parë, në një vepër tjetër. Në këtë vepër, përfshihen poezi të marra nga tetë vëllime të mëparshme të autorit. Përzgjedhjen e poezive ndërkaq e bëri shkrimtari, Sali Bashota.Ai e krahason Tafën, me poetin e ndjerë Ali Podrimja. Parathënien në këtë vepër, e mori përsipër shkrimtari Besnik Mustafai.E ky botim ishte ndër të paktë që ai pranoi t’i bëjë parathënien. Promovimi i librit, u bë nga shtëpia botuese Onufri, në ditën e parafundit te Panairit të Librit në Tiranë. Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
ObserverKult: Mbahet “Mitingu i Poezisë”, i 60-ti me radhë, u ndan çmime e mirënjohje!
Nga: Blerim Valla Tradita e pasur letrare e qytetit të Gjakovës e nisur këtu e 60 vite më parë, saktësisht më datën 10 nëntor të vitit 1964, për gjashtë dekada, hapëroi me kohën dhe me shumë poetë por edhe me shumë manifestime poetike që lanë gjurmë të mëdha në letërsinë shqipe në përgjithësi e në veçanti në poezinë tonë. Mitingu i sivjetëm jubilar i 60-të i Poezisë, u shënua me një javë promovimesh të librave dhe të autorëve të ndryshëm. Ndërsa kulmoi me manifestimin kryesor, me Akademinë Jubilare, pastaj me Orën e Madhe Letrare dhe me ndarjen solemne të Çmimeve tradicionale letrare por edhe të Çmimeve e Mirënjohjeve Jubilare . Fitues i “Çmimit Din Mehmet” për librin poetik më të mirë poetik midis dy mitingjeve nga juria e klubit letrar “Gjon Nikollë Kazaz” iu nda poetit Lulzim Tafa, për librin “Rivali i Adamit”. Ndërsa “Çmimi Ali Podrimja” për poezinë më të mirë të lexuar në Orën e Madhe Letrare, e ndarë poashtu nga juria e klubit në fjalë, ju nda poetit Sali Bashota për poezinë “Çka bëni ju atje të dielën”. Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës me përkrahjen e Komunës së Gjakovës dhe nën patronatin e kryetarit Ardian Gjini, organizoi manifestimin tradicional, këtë vit, për të shënuar 60 – vjetorin e Mitingut të Poezisë duke kujtuar nismën e tij që nga viti 1964, nga një grup shkrimtarësh për të udhëtuar deri sot, me shumë aktivitete, poezi, debate për kulturë, promovime veprash dhe shpërblime të shumta letrare. Nga kryetari i klubit letrar Muharrem Kurti, në hapje të akademisë jubilare u tha se Mitingu i Poezisë nuk u ndal as në kohën kur duhej të kërkohej leje speciale dhe kur bëheshin ndjekje, madje edhe ndalesa ndaj fjalës së shkruar shqipe. Dhe ky manifestim i i bëri ballë gjitha pengesave e sfidave për të arritur deri tek ky jubilar i 60 – ti sot. Pjesëmarrësit e këtij edicioni i përshëndeti kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, duke theksuar se Mitingu që mbahet në Gjakovë për kaq vite, ka sjellë kujtime për shumë gjenerata, prandaj edhe është i gjithë shkrimtarëve. Ai theksoi se Gjakova, do të presë jubile edhe më tej, sepse ky manifestim letrar i përvitshëm është aset shpirtëror. Kurse njëri nga pjesëmarrësit dhe themeluesit e Mitingut, shkrimtari i njohur Jusuf Buxhovi, tha se Gjakova kishte qysh atëherë shkrimtarë që patën nisma për të organizuar e për të shkruar, e që fatkeqësisht shumica nuk janë gjallë më me ne. Por ai aktivitet i atëhershëm nuk u ndal për 60 vite rradhazi dhe nuk do të ndalet asnjëherë sepse Gjakova ishte është dhe do të jetë Qyteti i Poezisë. Në Tribunën Letrare me temën “60 vjet të Mitingut të Poezisë” fillimisht referoi Muharrem Kurti, kryetar i Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, duke dhënë informacione të rëndësishme për të gjitha fazat e mbajtjes së këtij manifestimi. Kurti tha më tej se kujtojmë këtu, pjesëmarrjen në Miting të Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Ali Podrimjes, Fatos Arapit, Din Mehmetit, Xhevahir Spahiut, Visar Zhitit, Natasha Lakos, Fatos Kongolit, Zija Çelës e shumë e shumë të tjerëve të njohur, edhe kur ndërmjet nesh kishte kufij hermetikë e ndarës deri në qiell. Pra, Mitingu i Poezisë e shpërtheu kufirin shqiptaro-shqiptar me festën poetike në Gjakovë dhe qe 60 vite u bë një Shkollë Poetike! Ndërkaq shkrimtari Agim Byci, në fjalën e ti mes tjerash potencoi se në Mitingun e Poezisë kanë marrë pjesë edhe poetë të shquar të huaj por edhe nga ish – republikat e Jugosllavisë, si Jasha Zllobec, Jevrem Bërkoviq etj. A. Byci, po ashtu pjesëmarrës i mitingut nismëtar, solli para publikut kujtimet e atyre viteve, duke mbjellë në rininë shkollore sensin krijues dhe çdo vit shtoheshin gjeneratat për t’u bërë më vonë organizim e manifestim për tërë qytetin. Sipas tij, Klubi Letrar dhe vetë Mitingu i Poezisë ishin dhe janë Mona Liza e kulturës dhe e letërsisë shqiptare! Në Orën e Madhe Letrare të Mitingut, poezitë e tyre i lexuan poetët si: Sabri Hamiti, Naime Beqiraj, Milazim Krasniqi, Sali Bashota, Lulzim Tafa, Anton Marku, Migena Arllati, Prend Buzhala, Arif Bozaxhi, Lulëzim Logu, Blerim Valla, Albert Shala, Neki Lulaj dhe Agim Desku. Një traditë letrare e mitingut të poezisë që nga viti 2006, është edhe zhvillimi i garave në mes të rinjve krijues për të fituar “Çmimin Yllka Domi”, çmim letrar ky i ideuar e themeluar nga tre shkrimtarët dhe anëtarët e klubit letrar të Gjakovës: Agim Byci, Blerim Valla dhe Shkëndije Hoda. Dhe sivjet ky çmim që mban emrin e poetes dhe dëshmores gjakovare Yllka Domi, iu nda katër krijuesve të rinj: Sara Gjoshi, Albiona Fetahu, Alisa Kodraj dhe Erjon Xhiha. Më pas u bë ndarja e Çmimeve dhe Mirënjohjeve Jubilare për nder të 60 – vjetorit të Mitingut të Poezisë, të cilat i ndanë kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, anëtari i kryesisë së Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, poeti Engjëll I. Berisha, pastaj krye asambleistja e komunës së Gjakovës Arbnesha Kuqi dhe drejtoresha komunale e kulturës Adea Roka. Me këtë rast, u bë me dije se gjatë viteve të shkuara janë ndarë çmime e mirënjohje për të gjithë ata që ishin kontribues dhe udhëheqës të klubit letrar Gj. N. Kazazi dhe organizatorë të Mitingut të Poezisë. Prandaj sot nderohen ata që kanë merita dhe nuk janë shpërblyer deri më sot. Poeti Berisha, shtoi se po punohet në monografinë e Klubit ku do të figurojnë emrat e të gjithëve, për të mos u harruar kurrë. Në këtë përvjetor, Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, ndau edhe disa çmime e mirënjohje jubilare për ata që kanë dhënë kontribut me vite të tëra. Me çmimet post – mortum, nderoi ish-kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe shkrimtarin e madh Teki Dervishi. Me çmime e mirënjohje jubilare u nderuan edhe Jusuf Buxhovi, Besnik Mustafaj, Sabri Hamiti, Agim Byci, Milazim Krasniqi, Agim Vinca, Naime Beqiraj, Jeton Kelmendi, Iljaz Bobaj, Qemajl Juniku, Albert Shala, Blerim Valla, Shefqet Dinaj, Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë, pastaj edhe anëtarët e kryesisë së klubit “Gjon Nikollë Kazazi”, si
Kosovarja: Lulzim Tafa dhe Sali Bashota fitues të çmimeve letrare në Mitingun e Poezisë në Gjakovë
Fitues i çmimit për librin poetik më të mirë midis dy mitingjeve është poeti Lulzim Tafa, për librin “Rivali i Adamit”. Ndërsa për poezinë më të mirë të lexuar në Orën e Madhe Letrare, fitues është poeti Sali Bashota me poezinë “Çka bëni ju atje të dielën”. Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, organizoi manifestimin tradicional, këtë vit me Akademi Jubilare, për të shënuar 60 – vjetorin, duke kujtuar nismën e tij që nga viti 1964, nga një grup shkrimtarësh për të udhëtuar deri sot, me shumë aktivitete, poezi, debate për kulturë, promovime veprash dhe shpërblime letrare. Mitingu lindi në Gjakovë, por bashkudhëtoi me Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, e me subjekte që ofruan përvojë duke shënuar shumë suksese. Sikur u tha nga prononcimet e disa pjesëmarrësve, Mitingu i Poezisë nuk u ndal as në kohën kur duhej të kërkohej leje speciale dhe kur bëheshin ndjekje, madje edhe ndalesa ndaj fjalës së shkruar shqipe. Këto pohime u përmendën nga shkrimtarët Sabri Hamiti, Milazim Krasniqi, e shumë të tjerë. Pjesëmarrësit e këtij edicioni i përshëndeti kryetari i Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, duke theksuar se Mitingu që mbahet në Gjakovë për kaq vite, ka sjellë kujtime për shumë gjenerata, prandaj edhe është i gjithë shkrimtarëve. Më tej shtoi se Gjakova, do të presë jubile edhe më tej, sepse këtë manifestim të përvitshëm letrar, e kemi aset shpirtëror. Njëri nga themeluesit e Mitingut, Jusuf Buxhovi, tha se Gjakova kishte qysh atëherë shkrimtarë që patën nisma për të organizuar e për të shkruar, e që fatkeqësisht shumica nuk janë më me ne. Tribuna 60 vjet Mitingu të Poezisë, Platforma e Klubit që të ruhen edhe këtë vit aktivitetet tradicionale u realizua, me temën bosht “60 vjet Mitingu i Poezisë”, për të cilën referoi Muharrem Kurti, kryetar i Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, duke dhënë informacione të rëndësishme për të gjitha fazat e mbajtjes së këtij manifestimi. Kurti tha më tej se kujtojmë këtu, pjesëmarrjen në Miting të Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Xhevahir Spahiut, Visar Zhitit, Natasha Lakos, Fatos Kongolit, Zija Çelës e shumë e shumë të tjerëve, edhe kur ndërmjet nesh kishte kufij hermetikë e ndarës deri në qiell. Pra, Mitingu i Poezisë e shpërtheu kufirin shqiptaro-shqiptar me festën poetike në Gjakovë.Po ashtu në Mitingun e Poezisë kanë marrë pjesë edhe poetë të shquar nga ish – republikat e Jugosllavisë, si Jasha Zllobec, Jevrem Bërkoviq etj. Agim Byci, po ashtu pjesëmarrës i mitingut nismëtar, solli para publikut kujtimet e atyre viteve, duke mbjellë në rininë shkollore sensin krijues dhe çdo vit shtoheshin gjeneratat për t’u bërë më vonë organizim e manifestim për tërë qytetin. Sipas Agim Bycit, Klubi Letrar dhe vetë Mitingu, u bënë shkollë për shumë shkrimtarë që më vonë bëhen emra të mëdhenj të letërsisë shqipe. Ora Qendrore e PoezisëNë Orën Qendrore të Mitingut, në konkurrencë, lexuan poezi Sabri Hamiti, Naime Beqiraj, Milazim Krasniqi, Sali Bashota, Lulzim Logu, Lulzim Tafa, Anton Marku, Migena Arllati, Prend Buzhala, Agim Desku etj.Duke qenë se poezitë i nënshtrohen konkurrimit për çmimin “Ali Podrimja”, fitues i poezisë mëtë mirë, u shpall Sali Bashota, me poezinë “Çka bëni ju atje të dielën”.Traditë e mitingut është edhe zhvillimi i garave në mes të rinjve krijues nga shkollat fillore e tëmesme “Yllka Domi”. Në përkujdesjen e Vjollca Kuqit, gara ishte tejet konkurruese, por çmimi fitues iu nda katër nxënësve: Sara Gjoshi, Albiona Fetahu, Alisa Kodraj dhe Erjon Xhiha.Çmimet Jubilare, Çmimet Jubilare i ndau kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, si dhe Drejtori i Bordit të Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, poeti Engjëll I. Berisha. Me këtë rast, u bë me dije se gjatë viteve të shkuara janë ndarë çmime e mirënjohje për të gjithë ata që ishin kontribues dhe udhëheqës të Mitingut, e që këto çmime nuk mund të dyfishohen. Prandaj sot nderohen ata që kanë merita dhe nuk janë shpërblyer deri më sot. Poeti Berisha, shtoi se po punohet në monografinë e Klubit ku do të figurojnë emrat e të gjithëve, për të mos u shlyer kurrë. Në këtë përvjetor, Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, u kujdes të ndajë çmimet jubilare për ata që kanë dhënë kontribut me vite të tëra. Me çmimet post – mortum, ish-kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe shkrimtarin Teki Dërvishi. Me çmime të veçanta jubilare u nderuan Jusuf Buxhovi, Besnik Mustafaj, Sabri Hamiti dhe Agim Byci. Mirënjohjet Jubilare. Me Mirënjohje Jubilare u nderuan Milazim Krasniqi, Agim Vinca, Naime Beqiraj, Jeton Kelmendi, Iljaz Bobaj, Qemajl Juniku, Albert Shala, Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë. U shpërblye me mirënjohje edhe kryesia e klubit “Gjon Nikollë Kazazi”, Muharrem Kurti, Engjëll I. Berisha, Migena Arllati dhe Vjollca Kuqi. Gjithashtu me mirënjohje u nderuan Blerim Valla dhe Shefqet Dinaj, si dhe mediet Radio Gjakova dhe “Syri Vision”.Me çmimin tradicional “Din Mehmeti”, për librin më të mirë të botuar midis dy mitingjeve u vlerësua poeti Lulzim Tafa për librin me poezi “Rivali i Adamit”. Java e promovimeve:Si gjithnjë u organizua java e promovimeve, e që këtë vit kishte katër aktivitete, duke filluar meorën letrare për të rinj “Yllka Domi”, pastaj me promovimin e dy librave të autores Diana Marku: “Brenga me fytyrë vajze” (poezi) dhe “Të gjithë poshtë urës” (dramë). Gjithashtu, u promovuan romani “Libri për Gjakovën” i shkrimtarit Jusuf Buxhovi, libri me poezi “Duke pritur ditën e tetë”, i poetit Anton Marku dhe libri me tregime “Albani nuk flet shqip”, i autores Angjelina Markut.